Data e sotme
December 10, 2019

FILLIMI I FUNDIT?

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Po, titulli është pjesë e huazuar nga thënia e njohur e Uinston Çurçillit, ndërsa ka të bëjë me rastin aktual Reket, deklaratën e djeshme të kryeministrit Zaev në lidhje me të, si dhe tekstin e sotëm të gazetarit Geroski, i cili e ngriti tërë këtë rast me rrëfimet e tij me personazhe fiktive. Dhe po, çështja është se a ka ky shtet fuqi (dhe mënyra)që t’i japë fund korrupsionit të lartë! Ose së paku të fillojë ta trajtojë në mënyrë adekuate dhe të mbetet ndonjë shpresë se, për një kohë të shkurtër do të mund të shihet fundi i asaj lufte.

 

Kurse titulli mund të kuptohet edhe më gjerë – a shihet fundi i tranzicionit maqedonas tridekadësh dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian? Ose së paku të caktohet data e famshme për ato negociata, po sikur edhe të mos jetë data në këtë vit.

Kurse pyetja nga titulli është provokuar nga shumë faktorë dhe heshtja e çuditshme deri te ky prononcim i kryeministrit, ndërsa pas dramës e cila u bë që nga dita e arrestimit dhe paraburgimit për momentin e dy të dyshuarve, e cila që të kujtohemi ishte para më shumë se 20 ditë, saktë më 15 korrik. Prej atëherë, praktikisht asgjë e re, përveç marrjes në pyetje të një numri të caktuar të dëshmitarëve… nuk kishte zbardhje të njohurive të reja nga Prokuroria, të dyshuar të rinj, as paraburgime. Me këtë në publik tashmë është krijuar përshtypja për ta holluar punën, kurse të gjithë personat e përmendur (ndërsa disa edhe të ta papërmendur, ose ata të cilët në një farë mënyre u kuptuan nga personazhet fiktive nga rrëfimet e Geroskit, ose u theksuan/u njoftuan nga të tjerë) filluan të trillojnë justifikime, madje dhe vetë të bëjnë thirrje për zbardhjen e rastit deri në fund, ndërsa një pjesë mbeti në deklaratat e Prokurorisë Publike dhe u fshehën pas frazës “të mos dëmtohet hetimi”. Apo siç gazetarja Biljana Sekullovka në kolumnën e saj në “Nova TV” shkroi – të gjithë dolën viktima në këtë rast, ishin të keqpërdorur apo nuk e kanë ditur se çfarë është bërë në  emër të tyre; përfshirë edhe vetë të dyshuarit.

Por, se “djalli e mori shakanë” gjatë këtyre ditëve na kujtuan edhe emisarët euro-amerikanë, Hani, Rikeri dhe së fundmi Metju Palmeri. Dhe në të gjitha deklaratat e tyre (krahas dhe deri tani zgjidhjes primare të ardhmërisë së PSP-së) prioritet u bë lufta kundër korrupsionit të lartë dhe reformës adekuate në gjyqësor. Para asaj edhe ambasadori francez Timonie vuri në dukje të njëjtën, duke plotësuar të njëjtën me “dhunën rajonale” si pengesë për përkrahje nga Franca për procesin e zgjerimit.

Dhe kështu, krahas “vetëm çështjeve teknike” në qershor si sqarim për mos marrjen e datës për negociatat, pas kësaj ardhmëria e PSP-së si tregues kyç për reformat e nevojshme (të cilat apo nuk ishin kusht?!), tash përnjëherë rasti Reket u bë kusht kryesor për datë eventuale në tetor.

Dhe për këtë pyetja nga titulli. Dhe për këtë ndoshta edhe prononcimi i kryeministri – të demonstrohet vullneti politik dhe përkushtimi i kësaj Qeverie, të ballafaqohet me sfidën dhe “porositi” gjithçka çfarë duhet, që të arrihet qëllimi për negociatat me BE-në. Por, nuk do të jetë e mjaftueshme deklarata e kryeministrit. As deklarata e partisë qeverisëse. Kurse edhe Prokuroria do të duhet të veprojë më shpejtë dhe të jetë më transparente dhe për nder (nëse jo për çdo ditë) të komunikimit me publikun, veçanërisht për këtë rast, por jo edhe për të. Por, në ndërkohë, të gjithë shkuan në pushim?!

Për këtë edhe nuk jam shumë optimist se, edhe nga ky rast do të dalë diçka më e madhe, se do të zgjerohet edhe hetimi edhe aktakuza për shumë persona të përfshirë, as që do të arrihet në një kohë të shkurtër (sigurisht jo deri në tetor) deri te aktgjykime të dënueshme… ndoshta as për të dyshuarit e deritashëm.

Ashtu si edhe në veprimet e deritanishme të PSP-së (edhe të PTHP-së) gati se nuk ka gjykim për korrupsion të lartë, veçanërisht për përfitim të paligjshëm të pasurisë (përveç se në rastin Trust, në të cilin është dënuar Sead Koçani). As në rastin Tanku, në të cilin është dënuar ish kryeministri Gruevski dhe ministrja Jankullovska, nuk bëhet fjalë për “para të vjedhura” por ndikim gjatë blerjes së mercedesit të blinduar të Qeverisë (i cili ende përdoret për qëllimin për të cilin ishte blerë – transport të sigurt përgjatë Maqedonisë, kryesisht nga aeroporti deri dhe përgjatë Shkupit, të burrështetasve të huaj, si për shembull kancelarja Merkel). E gjithë vlera e blerjes në atë rast (600,000 euro) është më e vogël se vetëm pagesa e parë e njohur në rastin Reket (750.000 euro nga firma e Siljan Micevskit). Shumë raste të tjera ende nuk janë zgjidhur, ndërsa siç po ecin negociatat mes partive, ndoshta asnjëherë nuk do të zgjidhen. Për fat të keq edhe shumica e tyre nuk ishin për “paratë tona” të cilat u zhdukën nga buxheti i shtetit, ndërsa po spekulohet me vlera prej 500 milionë deri në 5 miliardë euro gjatë sundimit të VMRO-DPMNE-së, ndërsa kthimin e të cilave duhej ta tregonte numëratori në portën triumfale pas çdo aktgjykimi ose pagesë). Dhe për këtë kryeministri ndjeu nevojën për paraqitje të drejtpërdrejtë deri te opinioni për pakompromis në rastin Reket, pavarësisht se deri ku do të arrijë hetimi. Dhe për këtë ndoshta Gerovski në artikullin e sotëm theksoi se gati gjysma e Qeverisë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në këtë rast dhe të tentojnë të dalin të pastër nga e gjithë kjo. Ai me kujdes, si edhe deri më tani, nuk e akuzoi askënd konkretisht (edhe pse për herë të parë përdori emra të vërtetë, në vend të pseudonimeve), por iu bëri thirrje personave konkretë që të deklarohen publikisht për rastin dhe t’i arsyetojnë veprimet e tyre. Deri më tani nuk kishte rezultate nga thirrjet direkte dhe indirekte. Të shohim prej tani!

 

Siç thashë, titulli është nga Çurçilli. Një pjesë e një deklarate të cilën ai e kishte dhënë në nëntor të vitit 1942 (diku në mes të Luftës së Dytë Botërore) pas fitores së parë të madhe të britanikëve ndaj gjermanëve nacistë te El Alamejn (beteja për Egjiptin), ndërsa ajo komplet tingëllon kështu: “Ky nuk është fundi. Ky nuk është as fillimi i fundit. Por shpresoj se ky është fundi i fillimit”! Edhe unë shpresoj se edhe ne jemi në fund të fillimit, por edhe për këtë nuk jam optimist – as këtë betejë ende nuk e kemi fituar!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit