Data e sotme
October 15, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Shpëtimi nuk është në këtë ose atë parti politike por në sistemin demokratik

Shkruan: Denko Maleski

 

Vërej se vazhdimisht përsëris një të vërtetë nga domeni i politikës vendore siç, me vite, këtë e bëja me një të vërtetë tjetër nga politika ndërkombëtare, se aleancat formohen që t’i mbrojnë interesat e anëtareve të saja dhe se pa kompromis me Greqinë nuk kemi se çka kërkojmë në aleancat e tyre. Këtë herë, bëhet fjalë për të vërtetën se partitë nuk janë ato të cilat e shpëtojnë demokracinë, por sistemi demokratik na shpëton nga keqpërdorimet e partive. Thënë ndryshe, LSDM-ja dhe VMRO-ja munden vetëm, si top, ta hedhin nga dora në dorë shtetin e robëruar, por asnjë parti nuk mundet vetë të ndërtojë sistem demokratik. Do të thoshte dikush, partitë tona, si edhe të gjitha partitë në botë, luftojnë për pushtet. Megjithatë, ka një dallim shumë të rëndësishëm. Beteja politike e politikanëve të tyre zhvillohet në kushte të institucioneve të ndërtuara demokratike. Ka edhe dallim se si dy kulturat e shohin pushtetin. Kur, në kulturën tonë lindore autoritare, ne flasim për pushtet mendojmë në fuqi. Në Perëndim, fjala është government, menaxhim, por jo vetëm si fuqi por edhe si sistem demokratik i bashkëpunimit, pengesave dhe baraspeshave. Gjithsesi, në kushte të gjyqësorit të pavarur. Ne në Maqedoni, së pari këtë duhet ta ndërtojmë. Fillimi i tyre në të kaluarën, si dhe fillimi ynë sot nuk ka qenë i lehtë. Por, në historitë  e tyre politike, krahas partive, vërejmë një grup të njerëzve, të ashtuquajturit baballarë themelues të republikës, të cilët pa marrë parasysh dallimet partiake ishin të përkushtuar në ndërtimin e sistemit demokratik. Për nder të përjashtimeve, në strukturën udhëheqëse të republikës sonë, nuk ka një grup të tillë të njerëzve të përkushtuar në parimet e demokracisë. Të gjithë janë të përkushtuar në zgjedhje, sikur ato të mundë të jenë zëvendësim për trillim të përbashkët të një sistemi demokratik me parime drejtë të cilave do të përmbahen.

Pak ditë më parë kamera televizive e shfaqi emrin e plotë të PSP-së dhe më ktheu kujtimet: Prokuroria Speciale Publike për ndjekjen e veprave penale që kanë të bëjnë dhe të cilat rezultojnë nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve. Titull ky i cili me leksikun dëshmon për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në një sistem në të cilin kanalet të cilat qojnë deri te drejtësia në prokurorinë e rregullt janë bllokuar. Nuk është problemi te Prokuroria Speciale, institucion në të cilin insistojnë politikanë të Perëndimit të cilët dëshirojnë ta zbardhin fytyrën përgjatë procedurës speciale e cila do të dëshmojë se janë të pafajshëm. Te ne, gangsterë të përforcuar politikë vendosën një detyrë krejt të ndryshme: të vetëdijshëm që janë fajtorë, ta rrënojnë institucionin. Kështu filloi një rrëfim i jashtëzakonshëm jo në vërtetimin e së vërtetës, por në pengimin që ajo të shohë  ditë të bardhë. Mendoj, çfarë persona sipërfaqësor dhe të pandërgjegjshëm do të ishim ne kur i gjithë debati për përgjimet e paligjshme të mbi 20.000 qytetarëve dhe për krimin i cili është aq i dukshëm nga incizimet, e kthyem në incizimet e  mara në mënyrë të paligjshme. Por vallë, kudo në botë, incizime të tilla të cilat zbulojnë keqpërdorim të pushtetit mund të merren në mënyrë ligjore? Kështu, në vend që e gjithë shoqëria të ngrihet në këmbë dhe të kërkojë zbardhje me praktikën e incizimit të paligjshëm dhe zbardhjen e krimit të regjistruar në incizimet, mbisundoi zemërimi se pse dikush në mënyrë të paligjshme i ka marrë incizimet dhe na i hapi sytë për krimin e kryer. Pse jemi të zemëruar? Sepse duhet të marrim përgjegjësi për situatat në shoqëri, ndërsa ne ikim nga përgjegjësia.

Por, proceset evropiane dhe botërore tregojnë drejtimin e kundërt. Politikanët dhe inteligjenca do të duhej t’i ndihmojnë popullit të dezorientuar i cili mbeti pa kurrfarë kompasi moral pas zbulimit të aferës me prokuroren speciale publike. Por, kjo nuk është e mundur sepse edhe ato janë pjesë e atij mbështjellësi të ndërlikuar ballkanik të interesave personale, politike dhe të biznesit. Vallë duhet të pajtohemi me faktin që edhe më tutje do të jetojmë në një shoqëri të korruptuar? Kuptohet, nuk duhet të pajtohemi me atë fakt por duhet të jemi të vetëdijshëm se lufta është shumë e rëndë. Të paktën për ata për të cilët është e rëndësishme drejtësia dhe e vërteta.  Tentimi që  me dhunë të ndryshohen punët këtu nuk ndihmon më thotë ish i dërguari special gjerman Johanes Hajndll në një drekë të përbashkët në Shkup.  A mendoni që Ukraina është më pak e korruptuar sot se sa që ishte para revolucionit demokratik? Shihni vetëm se çka ndodhi në Bosnje dhe Hercegovinë. Populli doli në rrugë dhe i dogji institucionet politike. I dogjën ndërtesat e qeverisë dhe të parlamentit, por kur u shuan zjarret dhe u zvogëlua zemërimi, politikanët të cilët ishin strehuar në shtëpi, përsëri u kthyen në funksionet e tij.

Idealisti brenda meje më thotë se ndoshta është koha për ndonjë konventë demokratike të forcave politike të Maqedonisë së Veriut rreth vendosjes së themeleve të sistemit demokratik. Nëse dëshirojmë datë për fillimin e negociatave me BE-në duhet, në këto kohëra dramatike për shtetin, partitë të demonstrojnë dëshirë të përbashkët për demokraci dhe për shtet juridik. Kjo, kuptohet, është vetëm thirrje: parti, gjeni pikën e bashkimit, institucionin president, për shembull dhe filloni që me përkushtim të punoni në ndërtimin e sistemit demokratik! Për fat të keq,  nivel të tillë të lartë të vetëdijes nuk ka në partitë maqedonase të cilat janë pjesë e mbështjellësit të korruptuar, prandaj mundësitë janë se ato do të zgjedhin që të vazhdojnë të shkatërrohen derisa të gjithë bashkë shtrenjtë nuk e paguajmë shkollën dhe ta mësojmë leksionin se nuk ka demokraci me një parti dhe se sistemi demokratik është ai i cili e shpëton demokracinë nga keqpërdorimet e partive.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit