Data e sotme
November 14, 2019

VERA E NXEHTË (E ZHVATJES)

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

Pas ngritjes së pluhurit fillestar me hapjen e rastit ‘’Zhvatja’’, me paraburgimin e dy (dhe për momentin të vetmit) të dyshuarve më 15 korrik, si dhe heshtja e çuditshme në ndërkohë (duke përfshirë edhe shkuarjen më të çuditshme në pushim vjetor të të gjithë prokurorëve të rëndësishëm në rast edhe nga Prokuroria Publike dhe nga Specialja), gjatë javës së kaluar duket sikur përsëri vëmendja ndaj kësaj afere po intensifikohet dhe ndoshta do te kulminojë gjatë kësaj apo javës së ardhshme.
Së pari, kryeministri Zaev apeloi për zbardhje të rastit, dje të njëjtën e bënë presidenti Pendarovski, ndërkaq pas serisë së emisarëve të jashtëm (Han, Riker, Palmer) u prononcua edhe ambasadorja e re amerikane Kejti Bërns me shkrim në “Tuiter” për hetim të thellë, transparent dhe të shpejtë. Në paraqitjen e tij, do të thosha shumë të mirë, duket sikur Pendarovski i përcjelli përshtypjet dhe disponimin e publikut më të gjerë:
– Bëhet fjalë për aferë të madhe, e cila përveç që e rrezikon besimin në institucione dhe në vetë shtetin, munde të ndikojë negativisht edhe në euro-integrime;
– nuk është e rëndësishme nëse të përfshirët në zhvatje janë të majtë apo të djathtë (p.sh. vmroistë, lsdmistë, nga BDI apo të tjerë), të gjithë duhet të identifikohen dhe të përgjigjen për procedurat e tyre;
– nuk është e rëndësishme se kush dhe çfarë incizime publikon, as për çfarë qëllimi apo arsye e bën atë, e rëndësishme është përmbajtja e tyre cila duhet të hetohet plotësisht;
– serioziteti i situatës nuk e justifikon shkuarjen në pushim të institucioneve kyçe (para së gjithave të prokurorive);
– shprehi dëshpërim ndaj PSP-së dhe sidomos ndaj personit të parë të saj, Janevës.
Saktë, tre muaj pas inaugurimit të tij, në deklaratën (më pak apo më shumë) të parën të rëndësishme si president, ai veç më demonstroi veprim mbipartiak (edhe pse i propozuar dhe kryesisht i zgjedhur me votat e njërës pjesë te spektrit politik – koalicionit qeverisës të tanishëm), dhe me atë edhe angazhim drejt asaj që e theksoi si prioritet kryesor – depolarizimin e shoqërisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, në kushtet kur dy partitë me të mëdha LSDM dhe VMRO-DPMNE vazhdojnë me konferencat për shtyp të marra (veçanërisht ato para selive të partive oponente) në të cilat garojnë se kush do të parashtron më shumë pyetje ndaj palës tjetër për krimet e tyre (në vend që te parashtrojnë padi penale nëse veç më kanë njohuri të tilla, e jo të na lodhin ne me lojërat e tyre… deri tash me shumë mundësi do të pastroheshin vetvetiu nga krimet në radhët e tyre).
Do të thotë, presidenti e bëri atë që duhej dhe pyetja tash është nëse do të ketë ndonjë efekt nga thirrja e tij për veprim. Për fat të keq, ai nuk ka shumë instrumente që do ta siguronin që institucionet do të veprojnë pas deklaratave të tij, kështu që mbetet të shihet nëse disa lajme shpresëdhënëse (psh. që gjatë kësaj jave janë marrë në pyetje prokurorë të PSP-së) do të jenë frytdhënëse, ose nëse gjatë kësaj ose javës së ardhshme do të identifikohen personat e mbetur të sagës se Gerovskit me nofkat fiktive, gjithashtu edhe të gjithë personat tjerë të kyçur në këtë rast; që të gjithë personat e përmendur në media si të përfshirë – dhe me vetiniciativë (dhe nëse jo ashtu, atëherë me thirrje nga PP-ja) do të japin deklarata për rolin dhe përzierjen e tyre ne këtë aferë; që të ngritën aktakuzë ndaj të gjithë personave për të cilët do të vërtetohet përzierje e tillë (dhe do të kërkohet dhe caktohet paraburgim për disa një pjesë të tyre ose për të gjithë)… dhe hiq më pak e rëndësishme – do të lokalizohen paratë e dhëna për zhvatje (apo ryshfetin – pa marrë parasysh si quhet, edhe pse ndoshta ka një dallim ndërmjet të dy termeve… por dukshëm në publik ky dallim është më së pakti i rëndësishëm) dhe dorën në zemër edhe ku janë ‘’donacionet’’ ndaj Lidhjes ndërkombëtare të shtëpive të pleqve dhe projekteve të tjera ‘’humanitare’’.
Në kolumnën e kaluar (me titull ‘’Fillimi i fundit’’, në të cilën saktë është i cituar Çërçilli ‘’ky nuk është fundi, ndoshta nuk është as fillimi i fundit, por shpresoj të jetë fundi i fillimit’’) e lidha rastin ‘’Zhvatja’’ me shtyrjen e re të mundshme të negociatave me BE-në. Meqë shoh që disa komentues të atij shkrimi janë hutuar rreth asaj pyetjeje, të sqaroj disa punë. Nuk do t’i isha kthyer mendimit tim për Marrëveshjen e Prespës, se sa është e keqe ajo për ne dhe se pa nevojë u ngutëm për marrëveshjen/nënshkrimin e saj – kam të paktën pesë kolumna për atë çështje. Së dyti, gjithashtu disa herë kam shkruar që unë personalisht nuk jam i obsesionuar me datën për negociata me BE-në dhe që të gjithë ne nuk do duhej të jemi aq të ngarkuar me këtë. Gjithashtu, ne duhet vetë ti rregullojmë punët tona, në vend që të presim që BE të na rregullojë (fundja edhe BE nuk do të dojë të na pranon si anëtare deri sa nuk rregullohemi vetë). Së treti, edhe pse nuk e di çfarë lidhje ka ajo me shkrimet e mia, nuk jam vlleh, por mijakas, më saktësisht galiqnikas, rrjedhimisht edhe maqedonas.
Një nga komentet kishte të bënte për anketë eventuale në këtë temë në organizatën në të cilën punoj – QMBN. Nuk kemi bërë anketë në kohën e fundit, ndërsa derisa të bëhet, pikërisht këto ditë pashë një anketë tjetër, të Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (organizatë “joqeveritare” evropiane, gjegjësisht think-tank e përbërë nga ish funksionarë të lartë ndërkombëtar të BE-së dhe shteteve anëtare), pikërisht në temën për zgjerimin, gjegjësisht disponimin e qytetarëve të shteteve të BE-së në atë çështje. Anketa e konfirmoi situatën tashmë të njohur të shteteve të mëdha (dhe do të thosha më të rëndësishme) anëtare (krahas të priturave si: Franca, Holanda dhe Danimarka, pak befasuese janë edhe Gjermania dhe Austria), se pjesa më e madhe e të anketuarve (prej 37 deri në 46%) vlerësojnë se ASNJË shtet nga Ballkani Perëndimor nuk do të bëhet anëtar i BE-së gjatë dekadës së ardhshme (domethënë deri në fund të vitit 2030). Në fakt, përqindjet janë më të mëdha pikërisht te Gjermania dhe Austria (46 dhe 44%), edhe pse qeveritë e tyre (të paktën në deklaratat publike) propagandojnë mbështetje për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit, dhe pikërisht ata dy shtete kanë numër më të madh të emigrantëve pikërisht nga vendet e Ballkanit.
E dyta, ose lajmi i dytë i keq, në koment të kësaj ankete nga Këshilli i njëjtë (KEMJ) u theksua se, porosia e shteteve të Ballkanit Perëndimor është e qartë – vendet e rajonit duhet të demonstrojnë nivel të mjaftueshëm të sundimit (politik) të mirë, para se të fillojë çfarëdo lloj procesi i negociatave për anëtarësim në BE.
Dhe e treta, anëtarë të këtij Këshilli, gjithsej 69 ( në mesin e të cilëve edhe ministrat aktual të Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe ambasadori ynë i BE-së, Samuel Zhbogar), janë nënshkrues të letrës së hapur deri te përbërja e re e Komisionit Evropian (eurokomisarja e zgjedhur Ursula fon der Lejen), por edhe kandidatët për kryetar të Këshillit Evropian, Sharl Mishel dhe për Politikë të Jashtme evropiane, Zhozel Borell), për atë se cilat duhet të jenë prioritetet e politikës së jashtme të BE-së. Në tri pikat-prioritetet e theksuara, për fat të keq nuk përmendet zgjerimi. Ballkani përmendet vetëm në kuadër të së nevojshmes “rregullim të madh” për çështjet më kontroverse, bashkë me Kinën, Lindjes së Afërt, Rusinë dhe …..ndryshimet klimatike.
Në përgjithësi, po zbehet prospekti për afrimin e Maqedonisë drejtë BE-së në kohën e parashikuar, ndërsa rritet edhe pasiguria rreth fillimit të negociatave në fund të këtij viti. Afera “Zhvatja” gjithsesi nuk kontribuon në aspekt pozitiv drejt saj. Përveç, nëse në të vërtetë shteti nuk ballafaqohet shpejtë dhe me këmbëngulësi dhe nëse deri në fund të kësaj apo javës tjetër nuk përfundojnë prapa grilave të gjithë personat e përfshirë në të.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit