Data e sotme
October 15, 2019

DËSHPËRIMI I PRESIDENTIT

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Afera “Zhvatja” ka ngritur temperaturën politike në Maqedoninë e Veriut. Kjo aferë tashmë i kaloi kufijtë në momentin kur gazeta italiane “La Verita” publikoi video materiale me “Boki 13” dhe ku dëgjohet edhe zëri i Prokurores Speciale, Katica Janeva, e cila më pas e ka pranuar se zëri që dëgjohet aty është i saj. Janeva ka theksuar se nuk ka asnjë ndërlidhje me këtë rast dhe se ka biseduar më biznismenin Kamçev si një ndër të akuzuarit në rastin “Perandoria” me synimin për të krijuar nga ai një “bashkëpunëtor”. Ky arsyetim nuk ka qenë bindës për opinionin, ndërkohë që gjithnjë e më tepër po shtohen dyshimet për përfshirjen e saj në këtë aferë.

Që nga fillimi i kësaj afere, pas dyshimeve për përfshirje të mundshme të kryeprokurores speciale Janeva, një pjesë e stafit të prokurorëve më të cilat ajo kishte bashkëpunuar kishin filluar me “elegancë” të distancohen, duke bërë të ditur njëkohësisht se Prokuroria Speciale Publike, nuk identifikohej vetëm me të, por në fakt ishte një institucion kredibil që mund të vazhdonte edhe pa Janevën.

Përmasat e kësaj afere kanë trandur opinion sidomos pas riemërimit të “Boki 13” në “Boki trediçi”. Indiciet për një përfshirje të mundshme në këtë skandal edhe të funksionarëve të partisë në pushtet, LSDM-së, duke se kanë krijuar një moment tjetër intepretimi politik, që dita-ditës po merr dinamika të reja. Kryeminsitri Zaev ndërkohë kishte kërkuar një hetim rrënjësor të pavarur dhe përgjegjësi për ata që janë të përfshirë.

Pavarësisht nga prononcimet politike, rasti “Zhvatja” duket se ka krijuar një zhgënjim të pariparueshëm tek qytetarët. Duket se nuk ka shumë hapësirë për lojë fjalësh, ndërkohë që opinionin pret një veprim të shpjetë të institucioneve të drejtësisë. Në këto frekuenca pritjeje ka qenë edhe prononcimi i kryetarit të shtetit, Stevo Pendarovski, i cili është shprehur se ndjehet i dëshpëruar nga ky rast, ndërkohë që ka kërkuar hetim për të gjithë emrat që përmenden, pavarësisht nëse bartin funksione publike ose jo. Presidenti i shtetit ka shkuar edhe më larg, duke kërkuar përveç përgjegjësisë penale-juridike edhe përgjegjësi politike.

Mbase për herë të parë një president arrin që të jetë në lartësinë e detyrës, duke e perceptuar realisht seriozitetin e këtij skandali, por në të njëjtën kohë duke reflektuar objektivisht dhe pa ekuivoke mbi pritjet e qytetarëve. Dëshpërimi i presidentit në këtë rast është në sinkron me atë të qytetarëve, është në sinkron me “tronditjen” e thellë që po i ndodh sistemit të drejtësisë dhe gjithë proceseve politike që mendohej se po shënojnë një fazë tjetër të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe funksionimit normal të institucioneve.

Alerti i presidentit për t’i shkuar deri në fund hetimit për këtë skandal e vendos atë për momentin në mbrojtësin më të mirë të vlerave demokratike dhe gjithë sistemit institucional. Ky prononcim real në njëfarë mënyrë e kahëzon edhe qasjen institucionale mbi këtë skandal, por edhe krijon një moment të ri reflektimi që shkon përtej defetizmit real që po dramatizohet si manipulim nga protagonistë që me çdo kusht kërkojnë që mbi këtë dështim të radhës të ndërtojnë narracione shpëtimi dhe rikthim te modelet tashmë të provuara.

Pavarësisht që ky skandal ka trandur keqas themelet e shtetit të së drejtës, por edhe ka shfytyruar deri në mosbesim një aksion politik të promovuar si një lloj kundërvënie ndaj pushtetit paraprak, vendosja e sistemit të drejtësisë mbetet rrugë e vetme për të kapërcyer llumin e ndërvarësive të kriminalitetit me politikën. Kjo rrugë, ky angazhim nënkupton distancimin e plotë të politikës nga njerëzit e inkriminuar dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. Vetëm duke i shkuar deri në fund këtij inkriminimi nga ana e institucioneve të drejtësisë mund të çlirohet politika nga individë të inkriminuar, nga bartës funksionesh publike që pushtetin e shfrytëzojnë për përfitime thjesht personale.

Përtej meskiniteteve partiake, përtej retorikave atakuese për të mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet qëndron një imperativ i madh qytetar që i vendosë institucionet përpara një beteje jetike për të funksionuar mbi principet e vlerave europiane. Një fund i mundshëm i turpshëm i një figure në të cilën është besuar nuk do të thotë fund i një rrugëtimi, sepse vullneti për të qenë pjesë e vlerave të përbashkëta europiane shkon përtej narracioneve dramatike për të krijuar moment për shfajësime melodramatike aktorësh të vjetër dhe përtej narracioneve identike për ta mbajtur pushtetin.

Në këtë drejtim mund të shihet edhe prononcimi i presidentit të shtetit, por edhe i ambasadores së SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns dhe eurokomisarit Johanes Han, të cilët janë shprehur të vendosur se tani është koha që Maqedonia e Veriut të tregojë përkushtim në drejt sundimit të ligjit. Mesazhi duket i qartë dhe tepër domethënës për gjithë kontekstin se si procedohet me këtë aferë. Është koha për të vepruar në drejtim të një hetimi të thellë dhe gjithëpërfshirës mbi rastin “Zhvatja”, pavarësisht se kush është i përfshirë në skandalin që i kaloi kufijtë e shtetit. Vetëm në këtë mënyrë mund të kthehet besimi i rrëzuar përtoke i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, por edhe ndaj politikës si një dimension esencial i ekzistëncës njerëzore. Asnjë figurë, bartës funksioni publik nuk mund të ngritet në formë kulti mbi këtë proces të domosdoshëm në vendosjen e standardeve të drejtësisë. Ata mbeten të përkohshëm me pushtetin e tyre, me meritat dhe dështimet e tyre, ndërkohë që lufta kundër inkriminimit politik mbetet imperativ i përhershëm për të arritur në atë stad funksionimi institucional që e nënkpton demokracinë europiane.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit