Data e sotme
December 10, 2019

A MUNDEMI ?

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Vlerësoj se në këto kohëra delikate për shtetin tonë dhe për shoqërinë tonë, është e nevojshme që edhe më tutje të mobilizuar t’i ndajmë observimet, propozimet, analizat dhe dilemat kritike. Vetëm kështu do të mund ta tregojmë përgjegjësinë dhe kujdesin tonë në lidhje me të ardhmen e Republikës së Maqedonisë.

Më se e dukshme është se shteti ynë është në krizë dhe në kallaballëk serioz politik, duke i pasur në mendje ndodhitë të cilat janë me përmasa të mëdha, ndërsa të cilat tregojnë se diçka është  kalbur në sistemin politik.

Dilemat janë të mëdha nga aspekti se a jemi me të vërtetë aq të nënshtruar ndaj dukurive devijuese si zhvatje, ryshfet, kurdisje të tenderëve dhe besoni insistoj që ta locoj thelbin e problemit të vërtetë të gjithë asaj që është “e tmerrshme” por edhe degraduese, për secilin qytetar të ndershëm dhe me qëllim të mirë në Maqedoni.

Sistemi politik në Maqedoni është vendosur në atë mënyrë që në dy bashkësitë më të mëdha etnike funksionojnë partitë të cilat vlerësohen si të paprekshme. Ato dhe kuadrot e tyre, të cilët e krijojnë politikën gjithëpërfshirëse në Maqedoni, sipas meje, janë fajtorët më të mëdhenj për situatën aktuale, të cilën do ta vlerësoja si rrezikuese serioze e integrimeve të ardhshme euroatlantike, por edhe i formatit demokratik dhe qytetar të sistemit tonë politik.

Pas “rrëzimit” të bastionit të fundit në të cilin të gjithë kishim shpresë, ndërsa ajo ishte PSP-ja, edhe më shumë qytetarët e humbin shpresën se me të vërtetë do të jetojmë në një shoqëri moderne, të emancipuar, progresive dhe të drejtë.

Do të dëshiroja t’i numëroj gjërat të cilat nga rrënja duhet të ndryshohen nëse dëshirojmë të krijojmë vend të sigurt për jetesë.

Së pari duhet të ndryshohet modeli zgjedhor – nuk hyj në atë se si do të jetë, por të krijohet model i cili do të mundësojë që në listat zgjedhore të paraqiten njerëz me vertikale të vërteta të vlerave, të cilat popullata do të dijë t’i njohë. Jam i bindur se vetëm kështu do të kemi Parlament të fuqishëm.

Parlamenti i fuqishëm do të krijojë Qeveri të fuqishme, ndërsa jo siç praktikohet deri më tani – Parlamenti do të jetë vetëm mjet i Qeverisë për realizimin qëllimeve të saja të shënuara.

Të respektuar, Parlament të fuqishëm i cili është trupi më i lartë ligjvënës në vend do të jetë ai që do t’i diktojë rregullat për rregullimin e rendit dhe për vendosjen e shtetit të vërtetë juridik.

Parlamenti është ai i cili jep amin Qeverisë, i cili e vendos sistemin e drejtësisë në vend dhe është rregullator i përditshmërisë sonë.

Mua nuk më duhet Parlament, e supozoj se as juve, me njerëz të cilët janë servil të verbër të partive dhe statusin e tyre e kanë arritur në mënyrën të cilën e dinë ata, duke kryer shërbime të ndryshme, duke ngjitur posterë, e madje duke mbjellë urrejtje si ndëretnike ashtu edhe brendaetnike. Personalisht vlerësoj se duhet të ndërpritet ekzistimi i PSP-së sepse, i njëjti trup, i cili ishte formuar me amin të Parlamentit i reflektoi simptomat e shoqërisë së sëmurë.

Pse të kemi dy prokurori një Prokurori Speciale Publike (PSP) dhe një Prokurori Publike (PP), aq më shumë që PSP-ja në raport me PP-në e Republikës së Maqedonisë ka një status krejtësisht tjetër, veçanërisht nga aspekti financiar, i cili është përcaktuar me ligj, megjithatë mjetet materiale të cilat shpenzohen për këtë PSP janë të mëdha dhe me të drejtë krijohet konfuzion në gjithë sistemin e drejtësisë të prokurorëve të thjeshtë dhe të privilegjuar.

Nuk do të doja të lëndoj dikë, megjithatë iu bëj thirrje të gjithë faktorëve përgjegjës në sistem ta ruajnë kodin etik, i cili për fat të keq, jemi dëshmitar që në dekadën e fundit është varrosur thellë dhe sikur të mos ekzistojë. Ju siguroj se një përqindje e madhe e popullatës në Republikën e Maqedonisë e ndan mendimin tim, sepse “deri para pak kohësh” nuk mbaj mend ndonjë familje në Maqedoni ku nuk janë kultivuar etika, nderi dhe profesionalizmi.

T’i kthejmë ato sisteme të vlerave në mesin tonë. Iu bëj thirrje politikanëve nga pushteti dhe opozita që ata të jenë të parët të cilët do ta praktikojnë këtë sistem të vlerave, mes vete në vetë partitë ndërsa edhe më shumë në kontaktet e tyre me qytetarët, me qëllim që qytetarët të fitojnë besimin dhe vullnetin që të investojnë në të ardhmen e këtij vendi sepse deri më tani sjellja dhe praktika e njerëzve të pushtetit e bënë jetën e qytetarit të zakonshëm të pashpresë. Ajo që na ndodhi, e që është me të vërtetë tragjike, është se të gjitha devijimet dhe anomalitë shoqërore trajtohen si normalitet.

Jo, të respektuarit e mi, kjo nuk është normale dhe nuk guxojmë ta pranojmë si të tillë.

Dëshiroj të ndaj me ju një asociacion timin i cili ndodhte para pesë viteve, ndërsa po ndodhë edhe sot. Para pesë viteve Zotëriu Gruevski na bindte se bisedat e përgjuara janë të montuara dhe përgjatë qytetit qarkullojnë furgonë të verdhë, ndërsa sot jemi dëshmitarë se e gjithë ajo ishte gënjeshtër e pastër.

Për fat të keq sot edhe pushteti aktual në krye me LSDM-në tregon skenarin e zi për rastin zhvatja.

Të respektuarit e mi, zgjohuni, tolerancë për qasjen e tillë nuk guxon të ekzistojë.

Rasti zhvatja duhet të ketë përfundim edhe atë sa më shpejtë. E vetmja gjë pozitive të cilën e ndjej këto ditë është qëndrimi i Presidentit i cili tregoi neutralitetin, kujdesin dhe vendosmërinë e tij, duke kërkuar që të sundojë drejtësia dhe se para ligjit të gjithë jemi të njëjtë. Ajo ishte paraqitje e një politikani vërtetë të emancipuar, i cili ka kapacitet për kritikë dhe vetëkritikë dhe i cili me guxim paraqitet, duke mos u frikësuar se ndoshta mund të ketë reperkusione nëse shfaq raport kritik drejtë partisë në pushtet e cila e promovonte si kandidat të tij presidencial. Në fakt, nëse kemi më shumë politikanë të tillë të cilët në mënyrë eksplicite flasin për problemet në shoqëri, e gjatë kësaj nuk bëjnë kalkulime me interesat personale dhe konforin e tyre, ndoshta shteti do të ketë shpëtim. Pendarovski me të vërtetë tregoi integritet edhe në gjithë kaosin shtetëror në të cilin qytetarët sikur të jenë gjuajtur në vend të ndyrë, ai tregoi se është i vetmi i cili kujdeset për qytetarët.

 

Thonë, një dallëndyshe nuk e sjellë pranverën, por ajo dallëndyshe, në këtë rast mendoj për presidentin Pendarovski le të jetë nxitje për të gjithë faktorët nga të cilët varet e ardhmja jonë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit