Data e sotme
January 28, 2023

KULTET, ZHVATJA DHE DURIMI

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Themelimi i Prokurorisë Speciale Publike ishte dritë në fundin e një tuneli disavjeçarë. Një “perandori” e tërë dyshimesh për korrupsion dhe inkriminime tjera që po shfaqej si maje ajzbergu nga ” bombat ” e opozitës tashmë po i liheshin si prova në zyrat e PSP-së, që shihej si i vetmi institucion që mund t’i jepte kuptim drejtësisë në shtet.
Katica Janeva, një figurë jo aq e njohur deri në atë kohë po bëhej gruaja simbol e drejtësisë, një prokurore e admiruar që shpresohej se do t’iu japë zgjidhjen e duhur gjithë atyre rasteve të cilat tashmë ishin pjesë e proceseve gjyqësore. Opinioni me kohë i kishte dhënë mbështetjen e parezervë këtij institucioni drejtësie dhe Janevës si kryprokurore speciale. Kjo dëshmohet me rejtingun e lartë qē gëzonte PSP-ja në një numër të madh sondazhesh.
Përkrahja e qytetarëve ndaj këtij institucioni dukej plebishitare, ndërkohë që simboli i lutës kundër korrupsionit dhe inkriminimeve tjera, Janeva dhe prokurorët dhe prokuroret tjera sa herë që shfaqeshin në skenën publike përçonin optimizmin se më në fund diçka e mirë do të ndodhë në shtetin e uzurpuar nga inkriminimet politike, nga funksionarë shtetërorë që tashmë kishin “privatizuar” të mirat publike dhe kishin instaluar rrjetin e kontrollit dhe zhvatjes së parasë publike.
Por, jo gjithmonë tregimet e bukura kanë edhe një fund me ” happy end”. Kompromiset politike për çështje që konsideroheshin me rëndësi strategjike për shtetin që po kalonte dramën e ndērrimit të emrit, me figura të inkriminuara për të cilët tashmë ishin ngritur procese gjyqësore dhe që nuk merrnin një epilog të duhur kishin luhatur besueshmërinë në PSP-në. Institucioni i shpresēs tashmë po shihej si një institucion kalkulues që nuk i përgjigjej deri në fund misionit fillimtar.
Sidoqoftë, qytetarët, një shumicë e konsiderueshme, akoma besonin se ky shtet me drejtësi të brishtë mund t’i kthehej normalitetit vetëm nëpërmjet PSP-së si institucion që do tē reflektonte në të gjitha dimensionet e jetës politike dhe institucionale.
Pikërisht në fund të mandatit, në kohën kur duhej tē vendosej për fatin e mëtutjeshëm të PSP-së skandali “Zhvatja” po e rrënonte keqas prestigjin dhe besimin e fituar. Tashmë kryeprokurorja Janeva dyshohej se ishte pjesë e asaj ” perandorie” së cilës më herët i kishte shpallur luftë.
Pikērisht për dyshimet e përfshirjes sē saj në këtë skandal shkruan edhe prestigjiozja gjermane “Spiegel”. Në një tekst mbi aferën ” Zhvatja” dhe përfshirjen e Janevës “Spiegel” shkruan se ” u konsiderua simbol në luftën kundër korrupsionit, tani hetuesja Katica Janeva vetë duket se është e përfshirë në një çështje të madhe shantazhi”.
Fillimet dhe fundet nganjëherë janë kaq paradoksale sidomos në punët publike në vendet e Ballkanit, ku jo njēherë “heroizmi” kthehet në dëshpërim, ndërsa fitoret në humbje paradoksale. Janeva tashmë është paraqitur si dëshmitare përpara Prokurorisë Publike, ndërkohë që është shfaqur me avokatin e saj, i cili është avokat i njërit nga të akuzuarit në rastin ” Perandoria”.
Nuk dihet tashmë nëse Janeva paraqitet vetëm si dëshmitare apo do të hetohet për rastin “Zhvatja”. Algoritmet e së panjohurës nuk dihet se çfarë rezultatesh do të japin. Janeva ka kërkuar nga gazetarët dhe opinioni të kenë durim se gjithçka do të sqarohet. Zëri i saj në incizimet e publikuara ka krijuar tronditje në opinion. Ky zë si indicie për përfshirje ka tronditur edhe raportet “kolegiale” brenda PSP dikur unike dhe tepēr serioze. Brenda kohës ka pasur edhe përolasje cirkuzante për publikun. Në gërhamat e fundit PSP po dyzohet në një betejë të padukshme mbijetese si institucion, por edhe si funksione reprezentimi. Kjo betejë po zgjerohet si sfidë drejtësie tashmë në Prokurorinë Publike. Tautologjitë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë fund. Drejtēsia endet nga një korridor në tjetrin, nga cilësime speciale në cilēsime të përgjithshme.
Janeva mbetet ” personazhi ” që bashkon ” Perandorinë” dhe ” Zhvatjen”. Një fillim dhe një fund që tash pēr tash nuk i dihen deri në fund metastazat. Kryprokurorja kërkon durim, ndërkohë që besimi nē sistemin e drejtësisë gjithnjë e më tepër po rrënohet. Përderisa drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit asgjë nuk mund të patagjikohet. Një gjë mbetet e sigurtë. Çdo zvarritje e këtij rasti do të lexohet si ndëshkim ndaj besimit të qytetarëve në drejtësinë. Asnjë fillim nuk mund të jetë kaq madhështor dhe asnjë fund kaq tragjik. Mjafton të kalohet nga besimi në kultin ndaj njeriut në besimin ndaj sistemit. Njerëzit vijnë e shkojnè, ndërsa sistemi i kuptuar si qenësi vlerash të përhershme mbetet. I vetmi durim që duhet të kenë qytetarët është ndërtimi gradual i këtij sistemi të përhershëm vlerash, i këtij sistemi që nënkupton dinjitet dhe integritet profesional.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit