Data e sotme
September 21, 2019

“FANTAZMAT” E KAOSIT MEDIAL

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Kualiteti i demokracisë në radhë të parë varet nga profesionalizmi dhe kualiteti i mediave. Dekada e fundit shënon një transformim marramendës të paradigmës mediale. Mediat të ashtuqujtura tradicionale tashmë kanë një konkurrencë të jashtëzakonshme nga mediat online. Përkundër faktit që edhe mediat tradicionale, siç janë televizioni dhe gazetat, tashmë me edicione të veçanta janë të pranishme në detin e madh të mediave online, megjithatë vërshima e portaleve të pafundme pa më të voglin sens për gazetarinë mbetet një sfidë më vete në botën e informimit.
Në fakt, bashkë me idenë e demokratizimit që e ofrojnë mediat online vjen edhe një thyerje e madhe, një ndryshim perceptimi mbi gjithë tërësinë e asaj që quajmë informim. E drejta për të qenë pjesë e pluralizmit medial tashmë është kontrabanduar në një të drejtë banale për të qenë pjesë e një bote kaotike mediale me protagonistë që nuk respektojnë asnjë minimum të dinjitetit profesional.
Mbase asnjë definim nuk mund ta artikulojë deri në fund këtë transformim të dhimbshëm që provon të instalojë në hapësirën mediale format bizare të propagandava të padukshme ideologjike që fshihen pas portaleve pa asnjë lloj transparence. Dhe më tragjikja mbetet se pikërisht këto media ” fantazëm” ushqehen shpesh me para publike dhe kur e do puna edhe me para partish politike.
Gjithë kjo situatë shpërfaq një kontekst të degraduar perceptimesh mbi realitet politike dhe shoqërore dhe një korrelacion fatal mes fuqisë politike dhe mediokritetit medial. Ky mediokritet medial mëpastaj prodhon dhe ushqen mediokritet shoqëror. Tezat se “mendjet tradicionale” të gazetarisë nuk mund ta kapin këtë ritëm të paradigmës së re të mediave online janë justifikime mediokre për të shtrirë praninë kaotike të profiterëve ideologjik që në principet dhe në normat e funksionimit shohin humbjen e tyre.
Pavarësisht nga transformimi i madh, nga kalimi në algoritmet e mundësive të pafundme që jep bota digjitale, gazetaria në esencë mbetet e njëjtë, e mbështetur në principet tashmë të etabluara profesionale dhe thellësisht etike. Gazetaria nuk mund të funksionojë jashtë suazës teorike dhe jashtë misionit thellësisht njerëzor dhe publik. E thotë edhe nobelisti Gabriel Garsia Markez se gazetaria i ka mundësuar gjithnjë të mbajë lidhjet me realitetin. Nuk ka gazetari jashtë këtij realiteti njerëzor, jashtë principit deontologjik që sjellë përpara opinionit interesin publik si kryeshtyllë të jetës demokratike.
Por, ne jemi tashmë në këtë kaos që kërkon një zgjidhje. Ne jemi pjesë e kësaj bote virtuale të mbushur me gjithëfarë mediash dhe rrezikojmë të skematizohemi në receptimin e informacionit që vjen padiktueshëm nga adresa të eklipsuara dhe pa asnjë identitet profesional. Kjo gjithëprani e frikshme mediale që ushqehet me fragmente ideologjike dhe pasione subkulturash të ndryshme po e dekompozon përditshmërinë tonë në një komunikim pa asnjë vlerë. Teoritikisht dhe paradaksalisht përgjegjës për informacionin mbetet edhe receptuesi. Ky postulat mbetet për trajtime tjera komunikologjike.
Në momentin që mbi një shfaqje ju nuk mund të vendosni rregulla, principe atëherë valët e kaosit vijnë pandërprerë. E tillë mbetet gjendja edhe me mediat online në Maqedoninë e Veriut, një kaos që prodhohet nga një kontekst socio-kulturor dhe nga mungesa e një nisme konkrete për vetërregullim që përfaqëson një predispozitë të vetme për t’i dhënë një kahje normalitetit medial.
Konkretisht, një hap përpara për të vendosur rregull në këtë kaos është nisma e SHGM-së për të krijuar regjistrin e mediave profesionale. Kjo nismë vjen pas nënshkrimit të një memorandumi me Odën Ekonomike të Maqedonisë, ndërsa pjesë e këtij procesi do të jetë edhe Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni. Siç është raportuar, krijimi i këtij regjistri të mediave profesionale do të ndihmojë publikun dhe biznesmenët për të identifikuar se cilat media plotësojnë kriteret profesionale, që i përmbahen kodit të gazetarëve gjatë punës së tyre dhe kanë impresum dhe pronësi transparent.
Pavarësisht nga intepretimet e ndryshme krijimi i një regjistri të mediave profesionale e çon përpara mundësinë e vendosjes së një rregulli minimal në kaosin e mediave online. Në gjithë atë mishmash mediash fantazma krijimi i regjistrit do të mundësojë që të identifikohen minimalisht mediat që kanë prapa vetes transparencë në funksionim dhe që kanë një adresë në punën e tyre. Ky mbetet një minimum në diferencimin e përgjegjësisë profesionale karshi mediave me misione të paidentifikuara.
Sigurisht ky është vetëm një hap i hap i vogël përpara në ridimensionimin profesional dhe kualitativ, ndërkohë që çështja e vetërregullimit përsëri mbetet mekanizëm i padiskutueshëm në krijimin e një hapësire mediale thellësisht transparente, në të cilën do të gjenin strukturim plural dhe profesional mediat me relevancë, me ndikim dhe me etikë profesionale funksionimi. Ndërkohë mbeten edhe shumë çështje tjera për t’u debatuar që ndërlidhen me format e financimit dhe mbështetjet tjera të “padukshme” që nuk mund t’i normalizojë ky regjistër.
Sidoqoftë, ia vlen përpjekja për të vënë dorë kujdesshëm mbi kaosin e mediave online, mbi gjithë atë fragmentarizim të kontrolluar medial që ushqen “fantazmat” e ndërvarësive të shumta, që prodhohen aty ku pushteti dhe ideologjitë bëjnë flirt me paranë publike dhe gjysëm publike.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit