Data e sotme
September 21, 2019

Kundër kulturës së harresës

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Dëshiroj ta kthej vëmendjen tuaj nga diçka shumë thelbësore për ekzistencën tonë. Ndaj gjërave të cilat e definojnë veçantinë dhe specifikën tonë. Këto gjëra mund të shqyrtohen vetëm përmes kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Është koha ta kuptojmë se politika ditore është e çastit. Përmes saj ne nuk mund ta shqyrtojmë ekzistencën tonë, vazhdimësinë tonë e as të ardhmen tonë. Ngjarjet politike ditore nuk janë ato të cilat na e vendosin vertikalen e vlerave. Përkundrazi, ato fusin fragmentim në vazhdimësinë e nevojshme të trashëguar të ekzistimit tonë.

Prandaj duhet t’i theksojmë gjërat të cilat zgjasin. Gjërat të cilat janë shtytëse dhe të rëndësishme për të kaluarën tonë por edhe për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Duket se, në këtë kohë të entropisë dhe devalvimit të të gjitha vlerave, është koha të kthehemi drejt vetëzbulimit të sërishëm dhe ndaj vlerave esenciale, të cilat munden vetëm ta pasqyrojnë portin e asaj që na përcakton si bashkësi në kontinum. Kush jam, kush janë specifikat e mia, çfarë më dallon dhe çfarë më afron me kulturat e tjera – trashëgimia kulturore është karta e identitetit tonë përmes së cilës legjitimohemi edhe si individë edhe si kolektiv.

Mbreti i fundit malazez Nikolla thotë: “E humbe betejën? Mos u friko do ta fitosh betejën e radhës. E humbe luftën, mos u friko, në luftën e ardhshme do të fitosh. Nëse e humb gjuhën, atëherë do të humbësh gjithçka.” Pikërisht kjo urtësi më shtyu që këtë tekst t’ua kushtoj baballarëve tanë më të mëdhenj, të cilët e zhvilluan gjuhën tonë, duke e krijuar, duke e zhvilluar, duke e pasuruar dhe duke e bazuar në të gjitha vlerat kulturore dhe identitare.

Gjorgji Pulevski, Kërste Petkov Misirkov, Vëllezërit Milladinov, Marko Cepenkov, Bllazhe Koneski, Sllavko Janevski, Petre M. Andreevski, Radovan Pavllovski, Goran Stefanovski si edhe shumë të tjerë kontribuuan që të ndërtohet veçantia jonë, pjesëmarrja jonë në kontinuitet të trashëgimisë tonë. Ata krijuan botëra të cilat janë burim i memories për kulturën tonë prej kohëve të lashta deri më sot.

Nga historia lexojmë se populli ynë ka qenë caku më i zakonshëm i asimilimit: bullgarë, serbë, grekë… Nuk kam kurrfarë paragjykimesh ose pretendimesh ndaj asnjë fqinji për padrejtësinë e bërë ndaj popullit tonë. Rrjetimet në të gjithë Ballkanin, i tejkaluam dhe arritëm të krijojmë identitet i cili sot është i pranuar ndërkombëtarisht. Jam i sigurt se do të pyeteni pse në këtë moment i hap këto çështje?

Mund të duket e çuditshme pse po e theksoj këtë në këtë moment. Jeta e përditshme në shoqërinë tonë është shumë shqetësuese. Pikërisht për shkak të kësaj beteje të përditshme për mbijetesën, i harrojmë ata që formuan me përpikëri dhe besnikëri identitetin tonë kulturor. Ata janë veprimtarët që krijuan qenien tonë. Ne i kemi harruar ata në këtë spektakël politik. Dhe kjo është një padrejtësi e madhe. Ne duhet të luftojmë kundër kulturës së harresës.

Ne kemi një detyrim të luftojmë kundër harresës së të gjithë atyre që na e kanë besuar kontributin e tyre në ndërtimin e trashëgimisë dhe identitetit tonë kulturor. Por për fat të keq, ne nuk e përmbushim detyrimin tonë. Sot, në asnjë moment të ditës nuk përmendet kontributi i tyre për ata që jemi dhe në tërë kulturën tonë të përgjithshme bazë e së cilës është gjuha. Ne duhet t’i respektojmë ata që na kanë dhuruar përmbajtjen e ekzistencës sonë përmes gjuhës.

Me këto mendime, kam ndërmend t’i apeloj kësaj qeverie, veçanërisht ministrisë resore të Kulturës, që në aktivitetet e saj kryesore, duhet domosdoshmërisht të theksojë në mënyrë strategjike mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme në të gjitha segmentet e saj, dhe veçanërisht në segmentin e trashëgimisë letrare dhe gjuhës.

Për të pestën dekadë me radhë tani po vazhdojnë Mbrëmjet Strugane të Poezisë. Pyes veten se sa nga qytetarët tanë marrin pjesë në këtë ngjarje madhështore me rëndësi ndërkombëtare. Në Alinenë e Kolosëve, në Strugë, shumë monumente mungojnë ose janë shkatërruar. Pyes veten pse është bërë një gjë e tillë? Dhe nëse po bëhen përpjekje për t’u riparuar dëmi i bërë. Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë dhe të ndërtojmë gjuhën dhe kulturën tonë pa fundamentet e përcaktuara nga këta rilindas.

Është shkruar shumë për Jane Sandanski, Goce Delçev, Dame Gruev, të cilët janë revolucionarë për respekt dhe të rëndësishëm për historinë tonë. Por insistoj për barazim me emrat e potencuar më lartë kur është fjala për veçantinë tonë kulturore dhe identitare në këtë Ballkan të nxehtë. Kjo është arsyeja pse rekomandoj që në programet e gjuhës amtare, qoftë maqedonisht, shqip, turqisht, serbisht, të jenë më të pranishëm veprimtaritë e njerëzve të lindur në këtë copë tokë.

Nuk do të ndalesha më shumë. Por nuk mund të mos insistoj që t’i aktualizojmë krijuesit tanë të mençur dhe unikë të identitetit tonë kulturor, përmes formave të tyre të ndryshme krijuese, dhe mbi të gjitha përmes gjuhës.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit