Data e sotme
September 21, 2019

“GJIMNASTIKAT” PARTIAKE DHE PRITJET E TETORIT

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Koha politike matet me vizionin që ofrojnë aktorët e jetës publike dhe me vendimet që sillen në funksion të pritjeve të elektoratit. Koha politike nuk është persiatje egocentrike partiake dhe as propagandë e çastit për të kënaqur ithtarë taborësh në betejat e pafundme për të treguar muskujt ideologjik. Koha politike mbetet vektor afirmimesh për të qenë në sinkron me aspiratën e shumicës së qytetarëve që tashmë është projektuar si rrugëtim drejt BE-së.

Maqedoninë e Veriut e pret një moment tepër delikat politik gjatë muajit tetor. Me gjasë ky muaj do të përcaktojë edhe zhvillimet e brendshme politike, të cilat tashmë po performohen nëpërmjet një konfrontimi të fortë mes pushtetit dhe opozitës. Përkundër faktit që përfaqësues të lartë europian janë shprehur me optimizëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor, megjithatë kjo datë akoma mbetet me shumë të panjohura.

Rasti “Zhvatja” duket se akoma më tepër e komplikon pretendimin për hapjen e negociatave, ndërkohë që zyrtarë të lartë shtetëror, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski dhe ministri i Punëve të Jashtme, Dimitrov, kanë bërë thirrje për një sensibilizim shumë më të madh gjatë kësaj periudhe për të bindur faktorin ndërkombëtar për nevojën e hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut gjatë muajit tetor.

Gati të gjitha prononcimet e përfaqësuesve ndërkombëtar që janë të përfshirë në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE kanë lëshuar sinjale që lënë të kuptohet se Maqedonia e Veriut mund të marr një datë për fillimin e bisedimeve në tetor. Me gjasë data e fillimit të negociatave më tepër do të varet nga disponimi i shteteve europiane se sa nga dinamikat politike të brendshme, të cilat nuk kanë ndonjë ndryshim të theksuar nga periudha paraprake, përkundrazi pikërisht në këtë moment delikat duket se pushteti dhe opozita nuk arrijnë që të bashkërëndohen për të fuqizuar mundësinë për marrjen e datës.

Fati i Prokurorisë Speciale Publike mbetet një temë e nxehtë që ndërkohë po i përplasë VMRO-DPMNE si parti më e madhe opozitare dhe LSDM si bartëse e pushtetit bashkë me partitë e bllokut politik shqiptar, të cilat mbeten jo shumë të ekspozuara ndaj kësaj teme. Ligji për Prokurorinë Publike mbetet “mollë sherri”, ndërkohë që pikërisht ky ligj duhet të sigurojë statusin dhe vazhdimësinë e PSP-së, që si institucion drejtësie përkrahet fuqishëm edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Mes këtyre përplasjeve politike mbi aferën “Zhvatja”, mbi ligjin për Prokurorinë publike dhe tema tjera që ndërlidhen me përditshmërinë e qytetarëve, nuk kanë munguar edhe “grishjet” për zgjedhje të parakohshme, të cilat në çdo paraqitje i kërkon opozita. Sforcimet e fitoreve në zgjedhjet e mundshme janë bërë nga të dy taborët politikë. Një anketë interne e realizuar nga LSDM, i nxjerrë fituese partitë në pushtet, ndërkohë që lideri i partisë opozitare  VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski, ka theksuar se në rast se do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme partia e tij do të kishte mbi 100 mijë vota më tepër.

Edhe pse partitë politike gjatë tërë kohës kanë folur për dominimin e tyre, me gjasë zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Këtë e ka ripërsëritur disa herë edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili ka ripohuar në vazhdimësi se nuk ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për shkak se do ta pengonin procesin e integrimeve në BE, që mbetet një ndër prioritet e kësaj qeverie. Në Maqedoninë e Veriut asgjë nuk është e sigurt. Nëse provojmë ta lexojmë ribalancin e fundit të buxhetit, që në masë të madhe është orientuar në rritje pagash dhe në sfera tjera ku drejpërtdrejt preket në ndjeshmërinë e qytetarëve, askush nuk mund të vë bast se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

Sidoqoftë, deri më tetor kur edhe pritet një përgjigje për Maqedoninë për fillimin e negociatave me gjasë as që mund të mendohet për zgjedhje të parakohshme. Tema e zgjedhjeve të parakohshme më tepër duket si një inercion partiak dhe përpjekje e partive politike për të mbajtur në kondicion elektoratin tradicional, por edhe për të synuar elektorat tjetër që mendohet se mund t’iu sjellë fitoren në kohë zgjedhjesh.

Gjasat që Maqedonia të fillojë negociatat në tetor duken të mëdha, sidmos pas prononcimeve të përfaqësuesve europian dhe sidomos pas prononcimit më të fundit të presidentit francez Emanuel Makron. Ai ua ka thënë diplomatëve francëz që të punojnë shumë më tepër për reintegrim të Ballkanit Perëndimor në gjeografinë europiane. Një mesazh të ngjashëm ka përcjellë edhe zoti Palmer, i dërguari i posaçëm i SHBA-vë për Ballkanin Perëndimor. Në një takim me krerët qeveritar ai ka theksuar se SHBA fuqishëm e mbështet RMV-në në realizimin e qëllimeve strategjike, të drejtën e plotë për anëtarësim në NATO dhe fillimin e bisedimeve me BE. RMV dha shembull për zgjidhjen e çështjeve politike dhe hapjen e perspektivave për qytetarët”.

Gjithë këto proncime  krijojnë një ambient optimist për muajin tetor. Është ritheksuar disa herë në hapësirën publike se çelje e negociatave do të jetë një sprovë më vete për gjithë sistemin e Maqedonisë së Veriut, për administratën e mbingarkuar dhe të ngathët. Sëkëndejmi, pa një suport të shoqërisë civile, e cila tashmë ka kapacitete më të avancuara, gjithë ky proces duket i pamundshëm. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe mbledhja e parë e Komitetit për negociata për anëtarësim të RMV-së në BE, ku janë shqyrtuar edhe modelet për inkuadrimin e shoqërisë civile në procesin e negociatave.

Çelja e negociatave padiskutim që do të ishte një moment vendimtar për ridimensionimin institucional të Maqedonisë së Veriut. Do të ishte një momonet kthese dhe një fund-fillim i lumtur i një procesi të dhimshëm të tranzicioni të përjetshëm që ka krijuar një defetizëm të paparë te qytetarët. Por, fjala “lumturi” në Maqedoni duket kaq e paperceptueshme, ndërkohë që ky fund-fillim i një kohe tjetër politike dhe institucionale, i një transformimi kualitativ “shtegton” brenda tekeve politike që mendja iu rri te zgjedhjet e parakohshme, ose te mbajtja sa më gjatë e pushtetit, pa mbajtur llogari se edhe dinamikat e brendshme politike për çështjet thelbësore mund të jenë vendimtare në muajin tetor.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit