Data e sotme
September 21, 2019

Jeta dhe politika

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar bashkëqytetarë të mi.
Dëshiroj t’i shpreh pikëpamjet e mia lidhur me të vërtetën, me cilësinë thelbësore të jetës sonë, të ardhmes sonë dhe të mirave të mundshme të cilat janë në lidhje të ngushtë me veprimet dhe procedurat e elitave politike, atyre që janë në pushtet apo opozitë ndërsa të cilët e krijojnë kontekstin shoqëror në kuadër të së cilit e ndajmë fatin tonë.
Për shumicën, supozoj, kjo do të jetë si temë banale, por të nderuar, unë gjërat e tilla i shoh më ndryshe – aty ku kemi liderë të vërtetë, me ekspertizë dhe me kulturë të lartë politike, me vizion të qartë dhe të pastër dhe koncept për realizimin e këtij vizioni, ky shtet dhe qytetarët e tij ta ndjejnë përfitimin prej punës së tillë.
Për fat të keq në Maqedoni ndodhin gjëra të cilat tregojnë se jemi duke shkuar në drejtim të kundërt prej këtij imperativi. Do ta pyesni veten se pse në 3 dekadat e fundit në Maqedoni, pas shpërndarjes së IRFJ, mbetëm dhe akoma po qëndrojmë në të njëjtin vend pa kurrfarë vizionesh për zhvillimin ekonomik të vendit.
Që të mund të flas për lidershipin e keq të Maqedonisë, ku gjërat ndryshojnë shumë ngadalë dhe pa koncept, dëshiroj të shoh pak përreth, tek fqinjët tanë.
Le të fillojmë nga Greqia, e cila e tejkaloi krizën financiare prej vitit 2007 dhe shpejtë po punon në avancimin e infrastrukturës së përgjithshme rrugore dhe hekurudhore. Rrugët e sapondërtuara drejt Detit Egje, për Greqinë japin impuls të ri për zhvillim ekonomik më të shpejtë për rajonet të cilat ishin shumë pasive. Para finalizimit janë edhe bisedimet me partnerët e huaj për rikonstruimin e plotë të rrjetit të përgjithshëm hekurudhor dhe modernizimin e porteve të mëdha.
Shqipëria, është një çudi e vërtetë në Ballkan për rritje ekonomike të shpejtë, nëse e kemi në mendje atë që ky vend i vogël e arriti në dekadën e fundit. Magjistralja rrugore e cila i lidh Detin Adriatik me Detin Egje jep rëndësi të veçantë për zhvillimin e shpejtë ekonomik. Durrësi si port detar mbetet vend për të dëshiruar për transformimin e tij në portin më modern të Adriatikut.
Kosova për të cilën ne qytetarët e Maqedonisë nuk jemi të bindur akoma nëse është shtet ose protektorat, për një dekadë jo të plotë arriti të realizojë strategji për modernizimin e rrjetit rrugor, ndërsa ato janë investimet kapitale në autostradë nga Prishtina deri në kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Serbia edhe krahas momenteve të rënda përmes së cilave ka kaluar, ky shtet kaloi nëpër një luftë dhe bombardime dhe viktima, megjithatë gjeti forcën për ta ndërtuar autostradën nga Nishi deri në kufirin me Maqedoninë.
Bullgaria, vend i cili në vitet e hershme të 90-ta pas shpërbërjes së komunizmit nuk pati sasi të mjaftueshme për prodhimin e ushqimit, ndërsa qytetarët nuk patën as para për ushqim, sot është vend me rrjedhë të veçantë në ekonomi. Edhe pse është vend i BE-së dhe NATO-s, ata në asnjë moment nuk i ndërprerën marrëdhëniet tregtare të cilat tradicionalisht ishin të mira me Federatën ruse – përkundrazi edhe sot i vazhduan dhe avancuan këto marrëdhënie prej të cilave qytetarët e Bullgarisë kanë përfitim.
Ndërsa tani e pyes veten dhe ju, çfarë me ne, deri ku jemi ne, çfarë objektesh kapitale kemi ndërtuar në 3 dekadat e fundit, cilit projekt iu përkushtuam, me qëllim që ta përfundojmë?
Të nderuar bashkëqytetarë të mi, për zhvillimin e investimeve infrastrukturore të tipit të rrugëve, hekurudhave, duhet pasur vizion por edhe plan strategjik të saktë dhe aksional. Pa vizion nuk mund të krijojmë një të ardhme të bukur. Do t’i përmend vetëm disa shembuj. Rikonstruimi i rrugës së vjetër Veles-Shtip, rrugë prej 45 km, akoma nuk ka përfunduar ndërsa ka të bëjë me modernizim prej 10 vitesh. Autostrada Kërçovë-Ohër, e cila nuk është më shumë se 40 km, tash e 6 vjet është në fazë ndërtimi dhe akoma nuk është përcaktuar saktë se kur do të përfundojë.
Vetëm sa për të krahasuar, Kosova autostradat e veta edhe ndj Shqipërisë edhe ndaj Maqedonisë i përfundoi në afat rekord. Ndaj Shqipërisë për 2,5 vite ndërsa ndaj Maqedonisë për 1,5 vjet. Nuk na shkon për shtati relaksi ynë në realizimin e investimeve kapitale kryesore.
Në fund një pyetje për ju lexues të nderuar.
Vallë është e mundur dhe si e shikoni ju faktin se Kosova është midis 5 partnerëve të biznesit të shtetit tonë dhe akoma nuk e kemi ndërtuar atë rrugë të shkurtër prej 10 – 15 km deri në kufirin me Kosovën me qëllim që të dëshmojmë përgjegjësi për zhvillim më të shpejtë ekonomik. Ky gjest madje do ta ndryshojë edhe përshtypjen e secilit udhëtar i cili hyn dhe del nga shteti ynë.
Vetëm t’ju tregoj se përshtypja e çdo qytetari tonë i cili ka shkuar në Kosovë është Wooow, çfarë rruge kanë bërë autoritetet e Kosovës!!!, a ju duket kjo krenari për qytetarët e Kosovës, për mua PO.
Imagjinoni i njëjti ai udhëtar i cili kthehet në Maqedoni nga Kosova, në Maqedoni kalon nëpër rrugë që nga koha e Mbretërisë jugosllave, ndërsa ajo do të thotë 90 vjet të vjetër dhe të parregulluar, pasqyrë dhe perceptim vërtetë i shëmtuar për vendin tonë. Të mos tingëlloj si pesimist, shpresoj dhe jam i bindur se ky vend do të gjejë liderë të cilët do ta çojnë shtetin përpara dhe qytetarëve të këtij shteti do t’ua rrisin moralin, ndjenjën e dinjitetit, duke na bindur se jemi evropianë të vërtetë.
Për këto gjëra kaq prej meje, ndërsa ju mendoni dhe veproni nëse mendoni dhe keni mundësi ta ndryshoni një gjë të tillë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit