Data e sotme
September 21, 2019

LIDERËT E (MOS)MARRËVESHJEVE

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Dy liderët, Zaev dhe Mickoski, nuk kanë arritur marrëveshje për ligjin për Prokurorinë Publike, i cili vlerësohet si thelbësor për fatin dhe statusin e PSP-së. Ky ligj në fakt do të duhej të ristrukturonte sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, në bazë të pritjeve të qytetarëve, të cilët pikërisht në vendosjen e mekanizmave institucional të drejtësisë shohin shpresën e vetme për t’i dhënë fund një tranzicioni politik dhe një sistemi të inkriminuar.
Partitë kanë vazhduar ndërkohë me akuza dhe kundër akuza se cila është e angazhuar dhe e përkushtuar seriozisht për strukturim dhe reformim të sistemit të drejtësisë. Sidoqoftë, duket se në sfond të këtij dialogu për ta kaluar në parlament ligjin për Prokurorinë Publike qëndrojnë kauzat partiake që e bëjnë të vështirë gjetjen e njē zgjidhjeje.
Në Maqedoni jo njëherë partitë kanë ditur që ta vënë në plan të parë interesin e tyre, duke krijuar kështu situata nervoze dhe të komplikuara që në fakt kanë shkuar në favor të përllogaritjeve të tyre partiake, por në dëm të një procesi dhe të instalimit të suazës së nevojshme për ligje dhe funksionim normal institucionrsh.
Duket se edhe kētë herë partitë do të luajnë lojën e tyre. Dhe këtu realisht hapet një dilemë e madhe mbi gjithë logjikën e marrëveshjeve politike që kanë ndodhur dhe pritet të ndodhin. Sidomos në kohën kur sistemi i drejtësisë duhet të japë provën mbi shumë raste korruptive gjatë periudhës së kaluar dhe aktualisht, për shumē raste të proveduara nga PSP e udhëhequr nga Janeva, e cila më pas vetë ishte përfshirë në një aferë korruptive.
Tranzicioni në Maqedoninë e Veriut tashmë njeh një sërë “marrëveshjesh” të cilat janë bërë diku në prapaskenat e politikës, aty ku zakonisht luhen shfaqjet e interesave personale dhe klanore. Marrëveshjet janë pjesë e jetës politike dhe demokratike , por vetëm kur ato janë në funksion të një vizioni më kuptimplotë, kur janë në funksion të një kapërcimit kualitativ të një situate të caktuar. Marrëveshjet e këtilla nënkuptojnë një debat dhe dialog të pandërprerë, nënkuptojnë dije dhe principe për ta tejkaluar një gjendje politike që rrezikon të prodhojë polarizime të skajshme dhe bashkë me këtë edhe konfliktualitet politik.
Maqedonia e Veriut deri më tash ka kaluar nëpër shumë faza të këtilla ngërçesh politike, të cilat kanë ardhur si pasojë e politikave të gabuara dhe në të shumtën e rasteve të inkriminuara. Si zakonisht kanë pasuar marrëveshjet politike, të cilat iu kanë dhënë fund ngërçeve të prodhuara në laboratorët partiakë, të cilat janë intepretuar si ngërçe që vijnë nga politikat destruktive të njërës apo palës tjetër.

Partitë politike përfaqësojnë vullnet elektoral dhe qeverisja dhe gjithë jeta politike dhe demokratike determinohet nga ky vullnet. Sidoqoftë, ky vullnet fillimtar jo gjithmonë është përbrendësuar si logjikë funksionimi politik. Në të shumtën e rasteve ky vullnet është shfytyruar dhe degjeneruar tërësisht në një lloj elitizmi vullgar që është kujdesur gjithnjë  për marrëveshje politike në sfondin e të cilave kanë qëndruar mbulime të inkriminimeve politike.
Tash për tash nuk ka një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës, por pavarësisht nga kjo nēse do të ketë marrëveshje ose jo, duhet të marr fund logjika e prodhimit të ngërçeve politike dhe sistemore për hesape partiake.
Vetëm vendosja e një sistemi koherent vlerash mund të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm dhe përafrim me vlerat europiane. Asnjë marrëveshje nuk mund të jetë funksionale nēse bēhet pēr qëllime tjera, jashtë pritjes së qytetarëve për t’i ndëshkuar keqbërësit, ata që e mbajnë peng normalitetin shoqëror dhe institucional.
Ne nuk mund ta dimë nëse do të ketë marrëveshje pas pozicionimeve të forta partiake, por ne e dimë se çfarë marrëveshjesh na duhen. Maqedonia e Veriut ka nevojë pēr marrëveshje korrekte politike në funksion të reformimit të gjithë sistemit të drejtësisë. Një sistem funksional drejtësie që nuk do ta toleronte më asnjë rast krimin dhe korrupsionin.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit