Data e sotme
September 21, 2019

I. REPUBLIKA E TRETË E MAQEDONISË – NGA SKEPTICIZMI PËRMES EUFORISË DREJT DEPRESIONIT

Sheshi atëherë ishte i lakuriqësuar nga ndërtimet por ishte përplot me popull. Mijëra qytetarë në turmë shtyheshin drejt skenës që prej së afërmi të dëgjojnë se në atë mbrëmje të kthjellët dhe të nxehtë shtatori lindi shteti i tyre.

Shkruаn: Zoran Invanov

Ky do të jetë tregim subjektiv për realitetin objektiv të Maqedonisë. Nën titullin e njëjtë në tri vazhdime. Pa pretendime për ndonjë radhë kronologjike të ngjarjeve, por më shumë si përshtypje për ecurinë e pavarësisë së Maqedonisë. Në këtë vazhdim të parë vetëm me përkujtim të shkurtër faktografik për ditën e referendumit të tetë shtatorit të vitit ’91.

Për hir të së vërtetës, vetëm ndonjë vit para ngjarjeve të stuhishme, shumica e qytetarëve të Maqedonisë as që kishin menduar për pavarësimin e shtetit. Por shpërbërja e federatës ishte e pashmangshme, ndërsa udhëheqësit e atëhershëm nuk dinin ta nuhasin disponimin e qytetarëve.  Madje pasi në federatë u shpeshtuan incidentet e armatosura midis etnive filluan idetë për alternativat e mundshme. Kujdesi ishte i stërtheksuar dhe kalonte edhe në frikë prej vendimeve të shpejtuara. Por, ngjarjet evidente të shpërbërjes sukcesive të rendit socialist në Evropën e atëhershme dhe të partive komuniste në pushtet në Bllokun lindor, imponin ambient të pritshmërisë për ndryshime të mëdha edhe tek ne. Në ato kohë turbulente të shkaktuara nga vala e trazirave të cilat e rrënuan edhe Murin e Berlinit dhe e prishën matricën ideologjike komuniste, impuls i fuqishëm plotësues ishte rritja e shovinizmit në kuadër të kufijve jugosllavë.

Edhe faktorët e tjerë sikurse kriza ekonomike, hegjemonizmi serb dhe egocentrizmi kroat, me nacionalizmin si vegël e tyre kryesore e përçarjes, e shtynë bashkësinë jugosllave në konfliktin e përgjakshëm dhe në vitin 1991 ishte mjaft e qartë se shteti i përbashkët po shpërbëhet. Për fatin tonë dhe për pozitën tonë maqedonase vetëm nëpër kufijtë republikanë. Në rrethanat e tilla në të cilat filluan të shkrepin armët edhe brenda armatës federale dhe midis formacioneve paramilitare lokale të sapokomponuara republikane dhe rajonale, Maqedonia pavarësisht dëshirave të qytetarëve të saj për t’u pavarësuar ose të luftojë për kthimin e federatës, praktikisht pa zgjedhje ishte drejtuar nga vendimi personal. Edhe liderët e atëhershëm shtetërorë dhe partiakë edhe qytetarët gjithsesi, e zgjodhën daljen e mundshme të vetme – pavarësinë.
Mbizotëronte një frikë e madhe prej referendumit, por nuk pati zgjidhje tjetër. Ngjarja e caktuar për më tetë shtator ishte shansi i vetëm historik. Zgjidhje e mundshme që në vete i sublimoi dy opsione që atëherë ishin në kundërshtim: shteti të shkëputet në mënyrë të qetë pa derdhjen e gjakut sinjal i cili dëshirohej që të përcillet me referendumin dhe i dyti, për të cilën çështja jepte mundësi, nëse federata eventualisht i tejkalonte keqkuptimet midis anëtareve, republika të kthehet në kornizën federale. Gjithsesi e dyta ishte vetëm dizajn populist me të cilin dëshirohej të qetësohen të frikësuarit për sigurinë dhe për ekzistimin e shtetit si subjekt ndërkombëtar i pavarur por edhe të qetësohet armata federale e zemëruar e cila pati formacione të fuqishme ushtarake edhe në Maqedoni. Por edhe në të gjitha variantet, ishte shumë e qartë se qendrat federale atëherë ishin aq të dobëta ndërsa republikat aq të forcuara dhe armiqësore, sa që opsioni i vetëm real ishte që referendumi të ketë sukses edhe me të gjitha rreziqet që vendi të niset në rrugën e vet.

Edhe krahas druajtjeve evidente dhe bredhjeve politike për mënyrën e pavarësimit dhe rezistencave fillestare për referendumin, rezultatet prej tij qartë e shprehën vullnetin e qytetarëve për shtetin e pavarur. Referendumi ishte i suksesshëm. Populli e tha të vetën edhe më tej kuvendi dhe institucionet e tjera i modeluan atributet e subjektit të ri ndërkombëtar. Nga kjo distancë është e lehtë të konstatohet se në këto, rrethana tashmë historike, kanë qenë të stërtheksuara edhe euforia edhe skepticizmi. Por është fakt se shumë pak prej atyre gjeneratave të cilët e mbështetën pavarësinë, sot janë të kënaqur prej arritjeve.

Dhe pikërisht ky fakt duhet të jetë sfidë për gjeneratat tani. Për atë të para njëzet e tetë viteve, aso kohe ishte edhe motiv edhe sfidë. Edhe dëshirë edhe provokim. Në ambientin plural që ishte vetëm zanafillë disa media me vetëdije të plotë e ndërmorën pjesën e tyre të përgjegjësisë. Të informojnë, por edhe të komunikojnë me qytetarët për të gjitha ngjarjet, dilemat, druajtjet, pasiguritë. Edhe për pritjet, entuziazmin dhe gëzimet për mundësinë e dhënë. Maqedonia të bëhet shtet i pavarur.

Në këtë hap historik Radioja e Maqedonisë, Radio Shkupi, e mbajti plaketën e procesit dhe shënoi një pjesë të rëndësishme në këtë histori kombëtare. Kjo media ishte kryesuese e këtyre proceseve dhe animatore njëzetekatërorëshe e opinionit. Në studiot e radios natë e ditë defilonin politikanë prej partive politike të reja gjithnjë e më në numër, por edhe profesorë, artistë, intelektualë të matur dhe të rebeluar, personalitete publike prej të gjitha sferave. Radioja ishte mejdani i vërtetë plural, polemizuese, organizatore e debateve të shumta.
Ishte media e vetme e hapur për qytetarët, për druajtjet dhe për shpresat e tyre. Në programet e drejtpërdrejta përmes linjave telefonike të hapura dhe të pacensuruara, në etër drejtpërdrejt kyçeshin edhe nga treqind, katërqind dëgjues në ditë. Kjo simbiozë midis qytetarëve dhe radios, në mënyrë të pavërejtshme por të natyrshme, e imponoi obligimin edhe për teknikët dhe gazetarët. Veçanërisht për gazetarët e gjeneratës së mesme dhe të re, së bashku me radion e tyre si media, të jenë pjesë e organizimit të referendumit edhe atë jo vetëm në pjesën e obligimeve të tyre programore.

Kështu, kjo me siguri diku është regjistruar si fakt historik, në kuloaret e radiove dhe studiove në mënyrë spontane lindi ideja që kjo media, ndërsa në emër të qytetarëve, prej qytetit të kërkojë, të insistojë të bëhet një skenë, platformë druri në sheshin e Shkupit. Gjoja për nevojat e veta tekniko-programore për transmetim të drejtpërdrejt në radio. Ndërsa gjegjësisht ishte thirrje për qytetarët për tubim masiv për shënimin e suksesit evident në referendumin e tetë shtatorit. Edhe fishekzjarrët që jehuan pasi kreu aktual nga skena e kumtoi epilogun e vullnetit të qytetarëve gjithashtu ishte vepër e Radio Shkupit. Kjo si kontribut për gëzimin e shprehur, që siç rriteshin përqindjet e daljes dhe të pohimit ndaj pyetjes së referendumit, bëheshin gjithnjë e më euforik. Radio Shkupi atëherë studion mobile e transferoi në shesh, pranë skenës. Me transmetimin e drejtpërdrejtë nga çasti në çast njoftonte për rezultatet e referendumit. Nga çasti në çast i kumtonte numrat dhe përqindjet nga jehona në referendum dhe të votave të numëruara të cilat e formonin pavarësinë e Maqedonisë. Sheshi atëherë ishte i zbrazët prej ndërtimeve, por ishte i stërmbushur me popull. Mijëra qytetarë në turmë shtyheshin pranë skenës që prej së afërmi të dëgjojnë se në atë natë të kthjellët dhe të nxehtë shtatori lindi shteti i tyre. Të jenë dëshmitarë dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të këtij akti.

Tani, pas pothuajse tre dekadash shteti edhe ka edhe nuk ka rezultate. Maqedonia, Republika e Maqedonisë së Veriut është me të gjitha atributet institucionale dhe ndërkombëtare të shtetit të pavarur dhe sovran. Por me kapacitete demokratike ende fillestare. Me rezultate minore në të gjitha sferat. Me vetëdije të ulët shtetformuese, me kulturë politike të ulët, me jorezistencë ndaj devijimeve politike, me mentalitet klientelist dominues, me shprehi korruptuese, me nepotizëm partiak. Me institucione të politizuara dhe me kurrfarë rendi juridik. Me shpërnguljen masive të të rinjve, njerëzve të mençur dhe të arsimuar. Me dy fjalë, shoqëria e Maqedonisë ndodhet në një atrofi serioze e cila e rrezikon vendin në substancën e saj elementare shtetformuese.

Në një ambient të tillë, në të cilin disa herë e prekëm fundin, i ardhshmi nuk duket i sigurt. Kriza politike u stërzgjat dhe apatia po bëhet gjendje dominuese. Megjithatë, le të jemi pak më optimistë pasi kjo gjendje është e paqëndrueshme. Ajo duhet të bie kudoqoftë dhe kjo do të fillojë të ndodhë. Na pret lirim i ri, tranzicion i ri i cili njëjtë sikurse deri më tani do të jetë i dhimbshëm dhe i mundimshëm. Por i rëndësishëm është drejtimi, kursi dhe vendosmëria për të qenë të qëndrueshëm në drejtim të perspektivave të qëndrueshme dhe zhvillimore demokratike.

Në vazhdimin e dytë dhe të ardhshëm prej tre vazhdimeve të së premtes të këtij miniseriali kolumnist, pak më afër dhe pak më shumë për aktualitetet e Maqedonisë. Në këtë të parën megjithatë një dozë optimizmi – edhe gjeneratat e reja kanë potencial për t’i rrënuar fasadat. T’i heqin maskat me të cilat është mbuluar shteti.

Dhe t’i projektojnë vlerat qytetare evropiane që në dy tre dekadat e kaluara ua vodhi politika vendore e paskrupullt.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit