Data e sotme
November 17, 2019

MES MITIT TË SIZIFIT DHE ËNDRRËS EUROPIANE

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

 

Zhgëjnimi i qytetarëve mbi politikbërjen në Maqedoninë e Veriut tashmë është një fakt i pamohueshëm i afishuar pandërprerë në hapësirën publike. Ripërsëritjet politike dhe konceptet e deplasuara të qeverisjes përmbi 20 vjeçare kanë krijuar një mal dëshpërimesh që tashmë kanë filluar të transformohen në një mosbesim qytëtar mbi gjithë atë që ndodh si mendësi dhe praktikë e ushtrimit të pushtetit. Gjatë kohë elitat politike në Maqedoninë e Veriut janë ushqyer me një lloj vetëbesimi egocentrik, që i ka mbajtur ato të shkëputura nga lidhjet me realitetin gjithnjë e më të vështirë në përditshmërinë e njerëzve.

Ky duket të jetë kulmi i teatrit të absurdit që luhet në kurriz të qytetarëve. Politika këtu, më së miri mund të perceptohet me mitin e Sizifit, këtij heroi të absurdit, të cilin zotërat e kishin dënuar të ngjiste papushim një shkëmb në maje të malit, nga ku pastaj rrokullisej vetvetiu. Në fakt kjo rrokullisje mbetet një rrokullsje e fatit të njerëzve, të cilët gjithnjë rikthehen në pikën zero, aty ku shpresa dekompozohet dhe vështirë rikuperohet. Vetëm politikat e papërgjegjshme krijojnë dëshpërime të këtilla, të cilat paraprakisht kanë “zhvatur” vullnetin e qytetarëve.

Zakonisht, maje të malit absurd janë premtimet parazgjedhore politike, të cilat më pas rrokullisen si gur dëshpërimi në realitetin e zymtë të njerëzve, të atyre njerëzve që nuk mund ta lidhin muajin  me muajin. Sa herë është premtuar parajsë, ndërkohë që gjatë qeverisjeve është ofruar vetëm klientelizëm dhe substandarde tjera në politikbërje. Periudha e fundit shënon mbase kulmin e mosbesimit qytetar, sepse tashmë brenda dëshpërimeve të fundit janë tejbartur të gjitha shpresat, të gjitha pritjet dhe dëshpërimet e mëhershme.

Brenda këtij absurditeti politik disavjeçarë është shtresuar një gjendje moslëvizjeje që ka ngurtësuar çdo optimizëm për ditë më të mira. Fatkeqësisht duket se elitat politike e kanë harxhuar tërë arsenalin e premtimeve për ndryshime, ndërkohë që kanë vazhduar praktikat e njëjta të qeverisjes. Guri i rëndë i absurdit, në fakt ka vazhduar të ngjitet maje mali nga njerëzit, të cilët padiktueshëm dhe pa fajin e tyre janë shndërruar në protagonistë të këtij teatri të absurdit. Të heshtur, të duruar dhe me një shpresë kryeneçe ata kanë vazhduar të shpresojnë dhe besojnë se një ditë më në fund do të dalin në një hapësirë tjetër, në atë hemisferë të dëshiruar që garanton më tepër dinjitet dhe më tëpër zhvillim për të gjithë. Por, rruga nga maja e absurdit në hapësirën europiane duket kaq e vështirë me një elitë politike grindavece, snobe dhe pa më të voglin sens për të transkriptuar vullnetin qytetar, i cili dita-ditës po troshitet në ”gungat” e politikës pa vizion.

Sigurisht, jo gjithçka tingëllon me kaq pesimizëm. Në fakt, gjatë tërë kohës kemi pasur dy suaza zhvillimesh, dy pamje që kanë krijuar dy gjendje krejtësisht të kundërta. Politikat e brendshme shterpe që kanë prodhuar vetëm kundërshti fasadë dhe angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare që kanë ofruar përkrahjen e vazhdueshme për vendosjen e një perspektive tjetër, të ndryshme nga ajo që e kanë ofruar konceptet klienteliste të partive politike.

Pikërisht, ky vizion i promovuar nga bashkësia ndërkombëtare që mbeshtetet në politika moderne dhe qeverisje të mirë mbetet e vetmja shpresë për qytetarët, mbetet dritë në fund të tunelit, të këtij tuneli të errët ku e kanë katandisur ndjeshmërinë për progres të njerëzve politikat të projektuara vetëm për një grup njerëzish.

Në majat e absurdit, elitat politike nuk arrijnë që ta tejkalojnë veten dhe të merren vesh për çështjet thelbësore, të cilat mundësojnë një moment më pozitiv për hapjen e negociatave me BE-në. Në kohën kur po vazhdojnë përplasjet absurde politike të partive përfaqësues të BE-së po japin sinjale pozitive për hapjen e mundshme të negociatava. Kjo duket si një dritë shprese në tunelin e errët të katandisjes politike, e cila përveç këtij momenti pozitiv, i cili më tepër i përshkruhet angazhimit të përfaqësuesve ndërkombëtar, nuk arrin të krijojë një sinergji të nevojshme jashtë kallëpeve partiake për t’iu përgjigjur sfidës së vështirë të procesit të hapjes së negociatave.

Me gjasë pavarësisht nga këto realitet të zymta që po i ngulfatin qytetarët, Maqedonia ka shansin që të shpërblehet për një kontekst më të gjërë reflektimesh, të cilat i vuri në dukje gjatë vizitës së tij, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë vizitës së tij në Shkup.  “Unë vazhdoj të kem qëndrimit tim që e kisha në qershor, që vendi juaj ka bërë gjithçka që BE-ja ka pritur nga ju në dy vitet e fundit për të filluar negociatat, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian. Kjo është akoma bindja ime, vendi juaj ka bërë gjithçka. Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua t’u bëj thirrje udhëheqësve të BE, tani ju duhet të bëni pjesën tuaj, sepse Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë pjesën e vet”, ka theksuar Tusk.

Tashmë kur kanë mbetur vetëm edhe pak javë nga një vendim i mundshëm për hapjen e negociatava, çdo turbulencë e brendshme politike mund ta komplikojë këtë situatë. Padiskutim, hapja e mundshme e negociatave mbetet jetike edhe pse diplmatë europianë kanë theksuar se prioritet mbetet vendosja e sistemit të drejtësisë që kohëve të fundit ka përjetuar një goditje të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, ekziston shpresa se më në fund Maqedonia e Veriut do të marr datën për fillimin e bisedimeve në tetor, që do të jetë një fazë tjetër e afirmimit të vlerave dhe standardeve europiane.

Tashmë është thenë se vetëm hapja e negociatave nuk do të thotë asgjë, nëse ky moment nuk përcillet me një kurs të ri reformash sistemore, të cilat do të mundësonin që jeta institucionale të përmbrendësojë praktikat më të mira europiane. Mbase marrja e datës do ta flak tutje gurin e absurdit, gurin e politikës grindavece dhe klienteliste.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit