Data e sotme
November 17, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Nuk ka më besim blanko për askënd dhe për asgjë

Shkruan: Denko Maleski

 

Më shumë herë kam qëlluar në Amerikë kur është zgjedhur një gjykatës i Gjykatës Supreme. Është instanca më e lartë gjyqësore në sistemin gjyqësor të vendit të cilin e përbëjnë tetë gjykatës dhe gjykatësi kryesor (Chief Justice), të zgjedhur përjetësisht ndërsa të cilët e kanë funksionin kryesor për ta interpretuar kushtetutshmërinë e ligjeve. Nominimi e vë personalitetin e tij në qendër të vëmendjes së jetës politike në vend.
Gazetat si “Nju-Jork tajms” apo “Uashington post” botohen me fotografinë e tij në ballinë, ndërsa lajmet televizive fillojnë me po të njëjtin lajm. Ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë të analizës së jetës profesionale dhe të jetës private të kandidatit, i cili përfundon me marrjen në pyetje në Senatin amerikan ku pranohet ose refuzohet propozimi i presidentit. Këtu nuk ka kurrfarë automatizmi dhe shumica e kandidatëve nuk kalojnë përmes këtij filtri.
Krahas të gjithë oponentëve politik të cilët grumbullojnë të dhëna për qëndrueshmërinë dhe konsekuencën e qëndrimeve të kandidatit të shprehura me vite të tëra ose për sjelljen e papërshtatshme gjatë jetës, gazetarët investigues hedhin dritë edhe ndaj këndeve më të errëta të jetës profesionale dhe private të kandidatit. I gjithë ky proces i nominimit dhe zgjedhjes është pjesë e një angazhimi që shoqëria të mbrohet prej njerëzve amoral, jokompetent apo të korruptuar në pozita me ndikim. Nënkuptohet edhe këtu partitë insistojnë të zgjidhet ai i cili i ndan pikëpamjet e tyre politike, qofshin konservative apo liberale. Por, megjithatë, bëhet fjalë për personalitete me prestigj dhe integritet të cilët politikanët nuk munden “t’i fusin lehtë në xhep”.

Tek ne askush nuk e çan kokën kur zgjidhet gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, që është e njëjtë sikurse Gjykata Supreme në Amerikë. Zgjedhja, të jem më preciz, kalon pa u vërejtur nga opinioni. Anonimusë në profesion, e madje njerëz me moral të dyshimtë vihen lehtë në krye të piramidës gjyqësore. Asnjëherë nuk është e mjaftueshme kandidati të ketë qëndruar mjaftueshëm në kabinetin e një politikani të lartë që të meritojë të emërohet gjykatës i Gjykatës Kushtetuese apo Supreme. Dhe si të dihet se të emëruarit janë me të vërtetë anonimus ose persona amoral kur nuk ka hulumtim dhe debat publik për arritjet profesionale dhe sjelljen morale të kandidatit? Goditja që na e dha Katica Janeva duhet ta vetëdijesojë shoqërinë t’i hapë sytë kur ta emërojë dikë në pozita të larta gjyqësore, të prokurorisë dhe pozita të tjera shtetërore. Në këtë kontekst, në debatin për ligjin e ri për Prokurorinë Publike i cili udhëhiqet nën hijen e skandaleve korruptuese, dikush tha se ligji duhet ta parashohë mundësinë që një prokuror të jetë edhe profesor.
Vallë vetëm kaq mund të bëjë politika jonë në dobi të cilësisë së prokurorisë tonë dhe gjyqësisë tonë? Profesori, nuk është garanci për ndershmëri dhe as nuk është garanci për profesionalizëm. Ka profesorë të korruptuar dhe profesorë të padijshëm të cilët bizneset e tyre të turbullta i bëjnë pas perdes si titullit akademik. Por që të jetë akoma më serioze, përvoja e deritanishme më tregon se madje edhe kur përcaktohen për profesor, partitë shohin që të jetë profesor i korruptuar i cili është i lehtë për t’u manipuluar dhe për ndikim. Do të thotë fakti se dikush është profesor nuk e zgjidh problemin e ndershmërisë dhe integritetit.

Shpërbërja e sistemit paraprak njëpartiak kur kreu i partisë së vetme ishte arbitri final për gjithçka dhe i selektonte të gjitha kuadrot e madje edhe gjyqësinë edhe prokurorinë, ishte shoqëruar me kaos. Në këtë kaos, në mungesë të demokratëve dhe partive demokratike, filluam ta ndërtojmë pluralizmin. Mbase historia do ta konfirmojë se kanë ekzistuar baballarë-themelues të shtetit maqedonas modern, ata të cilët janë gjetur në pozitat politike kyçe në atë kohë turbulente, por vështirë ta thotë këtë edhe për demokracinë. Demokracia në vendin tonë nuk është produkt i një strategjie të ideuar të një grupi njerëzish në politikën e bashkuar, kundrejt ndarjeve partiake, rreth parimeve demokratike, por e rrahjes kaotike për privilegje personale, por rrallë, në llogari të së mirës së përgjithshme.

Por që paradoksi të jetë më i madh, rrahja për privilegje personale në llogari të së mirës së përgjithshme është më e shprehur në politikë, sferë e cila është përgjegjëse për të mirën e përgjithshme. Por, derisa nuk luftojmë për një sistem politik dhe gazetari të lirë përmes së cilave sikurse përmes sitës do të shkundet karriera profesionale dhe sjellja personale e kandidatit për cilindo funksion të lartë publik, nuk ka zhvillim të sistemit tonë demokratik. Politika duhet të jetë shembull. Hapi i parë drejt këtij qëllimi janë biografitë e politikanëve të kalojnë përmes vlerësimit publik rigoroz, pasi vetëm atëherë ata do të kërkojnë e njëjta gjë të bëhet edhe për bartësit e funksioneve të tjera në degët e ndryshme të pushtetit.
Na duhet shoqëri me kritere rigoroze në të cilën vështirë bëhesh deputet, profesor, gjykatës, prokuror, akademik… Kjo do ta shënojë fundin e tregimeve se me krap të përgatitur mirë ose zgarë mund të bëhesh gjithçka nga më lartë. Madje edhe me më pak se kaq. Vetëm me pëlqimin të jesh njeri i dikujt. Nëse ka diçka të mirë në atë që na ndodh, ajo është se aferat korruptuese të fundit tërësisht i kanë demistifikuar të gjitha funksionet shoqërore. Njeriu i lirë i Maqedonisë së Veriut nuk i beson askujt. Por pa besimin minimal nuk ka bashkësi, nuk ka as shtet. Prandaj, besimi ndaj bartësve të funksioneve publike tani duhet merituar. Ky është një fillim i mirë për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë në të cilën qytetarët do t’u besojnë institucioneve, më saktë politikanëve, gjykatësve, deputetëve apo profesorëve të cilët qëndrojnë në to. Nuk ka më besim blanko tek askush dhe për asgjë. Vlerat perëndimore të demokracisë dhe të drejtësisë depërtojnë në Maqedoni duke i rrënuar muret e qeverisjes autoritare dhe korruptuese jo më pak edhe ato në vetëdijen tonë. Për aferat e shumta të cilat lidhen me korrupsionin në pushtet mund të shihet edhe sikurse ndaj një pjese të këtij procesi të vetëdijesimit.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit