Data e sotme
November 17, 2019

VJESHTA E KTHESËS VENDIMTARE

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Ballkani Perëndimor gradualisht po futet në një fazë te re të perspektivës. Vonesat e panumërta gjatë periudhës së kaluar, të cilat kryesisht kanë ardhur për shkak të politikave ngatërrestare dhe thellësisht ataviste në konceptin e tyre, duket se tashmë po rifitojnë një angazhim tjetër, një fuqizim të orientimit për të qenë pjesë e BE-së.

Pamja e zymtë e së kaluarës duket se tashmë poi a lëshon vendin një drite shprese, e cila vjen nga kancelaritë europiane që me shumë seriozitet dhe përkushtim gjithnjë e më tepër po angazhohen që në gjeografinë dhe sistemin e vlerave të Europës të integrojnë edhe rajonin problematik të Ballkanit Perëndimor.

Pas dështimit të hapjes së negociatave në qershor, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, me gjasë në muajin tetor, ashtu siç ishte paralajmëruar, do t’i hapin negociatat për anëtarësim në BE. Nëse deri pak kohë më parë ekzistonin dilema nëse këto dy vende do të hapin bisedimet në tetor, tashmë ka një kthesë vendimtare dhe impenjuese që tetorin siç duket do ta shndërrojë në muaj të angazhimeve europiane.

Gjermania, gjegjësisht Bundestagu gjerman, tashmë ka hapur një horizont tjetër për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nga DË bëhet e ditur se Grupet  parlamentare CDU/CSU dhe SPD kanë miratuar dokumentin që i jep dritën e gjelbër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deputetët gjermanë  megjithatë kanë vënë disa kushte shtesë për Shqipërinë, të cilat i kanë ndarë në dy etapa. Dy syresh duhen plotësuar para konferencës së parë të anëtarësimit dhe shtatë të tjera para se të fillojë konferenca e dytë, respektivisht  hapja e kapitujve të parë (23 dhe 24).

Të enjten në mbrëmje dokumenti pritet të miratohet në Bundestag pas një debati 45 minutash. E vetmja parti që pritet të jetë kundër çeljes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor është grupi parlamentar opozitar i Alternativës për Gjermaninë (AfD). Partitë e tjera opozitare, Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pritet të thonë po, ndërsa e Majta është ende e lëkundur, por anon nga po-ja.

Padyshim, ky është një lajm i jashtëzakonshëm për të dy vendet, të cilët me kohë, në një kontekst më të gjerë, kishin shfaqur orientimin për të qenë në sinkron me angazhimet e BE-së për çeljen e negociatave. Pavarësisht nga dinamikat e brendshme që shënojnë rënie-ngritje politikash jo gjithmonë koherente, dy shtetet gjatë kësaj periudhe kanë treguar një angazhim shumë më të madh në drejtim të përmbushjes së kushteve minimale për të krijuar momentumin për reflektim nga shtetet e BE-së dhe nga Gjermania në veçanti, e cila gjatë tërë kohës ka nxitur dhe promovuar një koncept zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kancelarja Angela Merkel ka qenë promoter pikërisht i këtij vizioni për një qasje shumë me impenjuese ndaj rajonit. Kjo dëshmohet edhe me nismën e vitit 2014, të Procesit të Berlinit, që me angazhime dhe investime konkrete kishte krijuar tashmë një tjetër impenjim integrues.

Në sinkron me këto angazhime, kanë qenë edhe prononcimet më të fundit të presidentit francez Makron, i cili pavarësisht nga koncepti dhe vizioni për thellim të idesë europiane para një zgjerimi të mundshëm, kishte kërkuar ndërkohë angazhim shumë më të madh nga diplomacia franceze për reintergimin e Ballkanit Perëndimor në gjeografinë europiane. Me paralajmërimet për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë , rajoni tashmë po futet në dimensione tjera të stabilitetit dhe të sigurisë, të zhvillimeve politike, ekonomike dhe përgjithësisht demokratike që garantojnë prosperitet për gjithë qytetarët.

Gati se në të gjitha fushat e jetës institucionale dhe publike, BE dhe SHBA kanë treguar një kujdes të jashtëzakonshëm, duke investuar shumë të mëdha parash për harmonizim të standardeve me ato të BE-së. Angazhimet e BE-së dhe SHBA-ve në drejtim të integrimeve euro-atlantike kanë qenë të përhershme dhe sistemore. Në një prononcim, më të fundit, zëdhënsja e Komisionit Europian, Maja Kociançiq, ka bërë të ditur se që nga fillimet e vieteve 90-ta, BE ka investuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor përmbi 11 miliardë euro.

Gjatë tërë kohës BE ka investuar në të gjitha sektorët në vendet e rajonit. Projektet infrastrukturore, por edhe përkrahja e vazhdueshme për mediat dhe aktorë tjerë të jetës publike kanë qenë në fokusin e investimeve të BE-së në vendet e rajonit. Së fundmi këto angazhime dhe investime konkrete janë riafirmuar në dy konferenca e këtij viti të organizuara nga KE, në Poznan të Polonisë dhe në Podgoricë të Malit të Zi. Angazhimet e BE-së për integrimin e rajonit gjithnjë kanë qenë të prekshme dhe të përhershme pavarësisht nga steriotipet lokale që ndonjëherë janë krijuar të nxitura nga forca që nuk ia duan të mirën rajonit.

Me fakte dhe shifra konkrete mund të matet planimetria e financimeve europiane në vendet e rajonit, në drejtim të zhvillimit dhe të progresit të gjithëmbarshëm, përkundër disa forcave ngatërrestare, të cilat kanë investuar vetëm ne fake neës dhe në sabotime të këtij orientimi thelbësor të rajonit.

Sidoqoftë, vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen përpara një kthese të madhe historike, përpara një horizonti tjetër që mundëson përparime sistemore dhe që mundëson standarde dhe jetesë më të mirë për gjithë qytetarët. Europa duket se përfundimisht po e kthen Ballkanin Perëndimor në gjirin e gjeografisë së saj, në konceptin e saj të vlerave dhe të progresit. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe votimi i Bundestagut gjerman, por edhe gatishmëria e vendeve tjera të BE-së për integrim të plotë të rajonit në gjeografinë dhe jetën institucionale europiane.

Padyshim që kjo rrugë do të jetë e gjatë dhe me shumë sfida, por tashmë një dritë në fund të tunelit historik po ilimunon një një të ardhme tjetër brenda konceptit europë dhe jashtë ndikimeve tjera që duan ta mbajnë rajonin në një destabilitet të vazhdueshëm, në situate dramatike të sajuara dhe në retorika konfliktuoze që prodhojnë “pakënaqësi” të vazhdueshme në funksion të agjendave të tyre të mjegullta.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe fatmirësisht tashmë po krijohet një momentum i ri transponimi politik dhe i mendësisë që mundëson një mirëkuptim shumë më të madh për këtë ambicije të afishuar me kohë nga vendet e rajonit dhe të pranuar bujarisht nga Bashkimi Europian.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit