Data e sotme
November 17, 2019

SI PËR NË FUND

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Le ta sqarojmë titullin, të mos mendoni se jam duke e parashikuar të ardhmen e Maqedonisë, por bëhet fjalë vetëm për atë se ky është teksti im i fundit në këtë projekt eksperimental në të cilin mora pjesë me Inboks7. Dhe si për shkrimin e fundit (ndryshe të 45-të), gjegjësisht për në fund, është e radhës ta ndaj përvojën e fituar dhe përshtypjet.

 

Fillimisht, shkrimi i kolumnave për mua ishte përvoja ime e parë e tillë dhe kjo ishte arsyeja kryesore për të cilën edhe e mora mundimin kur mu ofrua. Së dyti, vlerësova se do të jetë si plotësim i mirë i paraqitjeve të mija publike (kryesisht TV) për të komentuar ngjarjet shoqërore dhe politike, kryesisht në kuptimin e përfaqësuesit të organizatës të cilën e udhëheq – MCMS dhe ndarjen e shumicës së njohurive dhe analizave të cilat i krijojmë dhe deri tek të cilat vijmë përmes punës së përditshme.

Dhe nuk ishte edhe aq e thjeshtë sikurse e mendoja. Mësova se është pak më e komplikuar të shkruhet diçka sesa të shprehet, përgjegjësi më e madhe për fjalën e shkruar publike sesa të shprehur. Dhe gjithsesi zgjat më shumë ndërsa në disa momente ishte edhe e mundimshme që të përpilohet një tekst në orët e hershme të mëngjesit që të jesh në kohë ndërsa njëherësh edhe mjaft aktual. Por për çdo rast ishte përvojë interesante për mua, edhe pse nuk e fitova përshtypjen se shkrimet janë shumë interesante edhe për të tjerët, gjegjësisht për juve lexuesit.

Këtë përshtypje e bazoj kryesisht në komentet në mediat sociale, pasi nuk kam pasqyrë tjetër për reagimet e mundshme ndaj këtyre artikujve. Dhe komentet janë një fenomen dhe një histori në vetvete. Më vjen mirë që shkrimet në pothuajse të gjitha rastet shkaktuan komente, megjithëse jo shumë (përveç disa prej tyre). Nuk jam i kënaqur për ato që unë konsideroja se ishin më të diskutueshme nuk shkaktuan polemikë, por kryesisht ato që merreshin me politikë ditore, ose rastet që ishin aktuale javën e shkrimit përkatës. Ndoshta tregon për kulturën e “reagimeve të menjëhershme”, “fitilit të shkurtër” dhe “trurit të vogël”, të cilat fatkeqësisht edhe partitë i (keq)përdorin me mjeshtëri dhe për shkak të së cilës ne kemi ngecur – sipas mendimit legjendar të profesorit akoma më legjendar Marjanoviq nga fillimi i viteve ’90 – (çdo) popull e ka qeverinë që e meriton.

 

Akoma më pak më vjen mirë që shumica e komenteve nuk merreshin me vetë tekstet ose problemet të cilat i trajtonin por me mua?! Gjysma e tyre ishin ofendime të pastra apo konstatime (thuajse në të gjitha rastet të gabuara) nga njerëz që as nuk më njohin dhe as nuk ia kanë idenë se çfarë punoj e as nuk e dinë se çfarë dhe sa kam arritur në jetë dhe karrierë. Çfarë të them për ta, përveç se të shërbehen me fjalët e urta popullore të tipit “kush ia bën varrin tjetrit bie vetë” – se komentet e tilla gjegjësisht më shumë tregojnë për ata sesa për mua.

Një pjesë tjetër e komenteve për mua personalisht ishin kualifikime që të më “fusin” në shabllonin standard të përkatësisë partiake të obligueshme (ose afërsi). Për ta më vjen shumë mirë që në këto sistemime kam marrë kualifikime të përmasave “VMRO-ist latent” deri tek “komunisti i fshehur”. Për mua kjo është vetëm vërtetim se megjithatë shkrimet janë mjaft neutrale dhe gjithsesi nuk varen prej partive.

 

Që t’ua shuaj kurreshtjen, po ua them disa gjëra për veten për këtë çështje. Asnjëherë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike (madje as e Lidhjes së Komunistëve (LK), edhe pse atëherë – në shkollë të mesme, isha më afër anëtarësimit në parti). Së dyti, në aspektin ideologjik, pak më shumë (sikurse të gjithë ne, nuk mundet për të gjitha çështjet të jemi të pajtimit me një pikëpamje ideologjike) më shumë jam majtist se djathtist. Për shembull, vlerat e rëndësishme për mua janë pacifizëm (kundrejt militarizmit djathtist/republikan), bashkësia/vëllazëria, barazia dhe jodiskriminimi në asnjë bazë (kundrejt individualizmit) ndërsa në një test për Bashkimin Evropian dola edhe federalist (në kuptimin e BE-së, gjegjësisht angazhohem për union më të afërt, si SHBA-, kundrejt bashkësisë së dobët të shteteve të pavarura).

Nga ana tjetër, është e saktë se prej partive më simpatike për mua është VRMO-DPMNE… edhe për arsye historike – në të 90-tat e hershme isha i ri dhe “revolucionar” (p.sh. kam marrë pjesë në organizimin e protestave të para studentore para konsullatës greke) dhe PËR Maqedoninë e pavarur (edhe pse e kisha për zemër, ndërsa viteve të fundit e kam akoma më përzemër, shtetin tonë të mëparshëm – Jugosllavinë); ndërsa në këto arsye për simpatizimin dhe mënyrën në të cilën VMRO (edhe pse fituese e zgjedhjeve të para plurale) ishte “bërë” për shkak të politikanëve të atëhershëm më me përvojë nga LK (LK – PPD, LSDM de… dhe partitë e tjera që dolën prej tyre); por edhe për shkak të politikave madje edhe performancave, të cilat kam mundur t’i përshkruaj kësisoj: “me LSDM zakonisht është gjithçka status kuo, ndërsa VMRO nga ana tjetër bën ndryshime të rëndësishme…mirë, prej 300 gjërave që i ndryshojnë kur janë në pushtet, mbase 100 janë marrëzira mirëpo shumica janë të mira”!

Nga ana tjetër, shumë më shumë miq të mi janë në LSDM, ndërsa mjaft shpesh shihemi dhe komunikojmë. Edhe personalisht edhe me punë. Për shembull, me Nikolla Gruevskin drejtpërdrejt jam takuar vetëm dy herë në 12 vitet e tij në pushtet, edhe atë në koktejet e ambasadave të huaja dhe atë në bisedë prej 3 minutash. Me Zaevin jam takuar së paku 12 herë në këto dy-tri vjet, përfshirë edhe në takimet formale në Qeveri, ndërsa tri herë ka qenë edhe folës në ngjarjet e organizuara nga MCMS. Për hir të së vërtetës, VMRO-DPMNE vetë është fajtore për këtë gjendje dhe sipas asaj që e pranojnë disa deputetë të tyre në “paketë” me demonizimin e Fondacionit sorosoid, për shkak të kuptimit të vogël të rolit dhe nevojës për organizatat qytetare, vuan edhe i gjithë sektori (joqeveritar) nga sulmet e tyre. Shpresoj se së shpejti do të ndryshojë, pasi kjo më së shumti e dëmton vetë partinë.

 

Përfundimisht, në fund, duhet dhe dëshiroj të shpreh falënderim për komentet e sinqerta dhe konstruktive, përfshirë edhe ato në të cilat është shprehur mospajtim me qëndrimet e mia ose me argumente është kontestuar ndonjë mendim i imi ose tezë. Unë nuk kam komentuar mbrapa, një për arsye se ashtu më kanë këshilluar, ndërsa së dyti për shkak të mungesës së kohës, por do të mundohem gjatë periudhës së ardhshme, të jap mesazhe të mira për të gjithë ata edhe pse më nuk janë aktuale temat të cilat janë komentuar. Falëndeirm të veçantë për mikun tim (i cili u dëshmua edhe lexues besnik) Vojkan, me të cilin e kuptova se kemi mjaft qëndrime të njëjta ndërsa i cili edhe shpesh më mbronte në shkrimet me komentuesit e tjerë. Shpresoj se ka shkaktuar interes dhe mendime tek më shumë lexues edhe pse asnjëherë nuk i kanë komentuar shkrimet.

 

Përshëndetje, deri në leximin e radhës!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit