Data e sotme
October 15, 2019

Zhurma e kritikës së pabazë dhe jo e kritikës së argumentuar

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Në shoqërinë tonë, në kulturën tonë, ekziston një prirje në rritje që është disfatiste dhe tregon shkallën në të cilën është shembur sfera jonë publike, realiteti ynë shoqëror dhe mjetet tona të komunikimit arsimor. Është trendi i zhurmës, i një debati kritik të paarsyeshëm, i cili zëvendësohet nga banaliteti i kritikës pa argument, i diskreditimit, fyerjes, poshtërimit, i cili nuk shërben gjë tjetër veçse për të detyruar një person të tërhiqet nga sfera publike për t’u pushtuar hapësira e shumicës që nuk ka asgjë për t’i dhënë shoqërisë përveç një boshllëku të pakuptimtë.

Kjo tendencë është një tendencë e dhunshme dhe nuk i shërben askujt përveç atyre që me guxim kërkojnë të pushtojnë hapësirën e pushtetit pa cilësi dhe përmbajtje, por me agresion dhe diskreditimin e tjetrit.

Ndoshta po shkruaj kolonën time të fundit në jetën time ku arsyeja e tërheqjes sime nuk është kritika por kritika e dhunshme e njerëzve me dituri dhe njohuri joadekuate të gjërave që qëndrojnë duarkryq tërë ditën në rrjetet sociale, duke hedhur anatemë pa e kuptuar atë se ajë klithmë e tillë boshe, e pakuptimtë dhe e dhunshme degradon vetë personin, dhe indirekt vetë shoqërinë.

Një fjalë e urtë thotë: Fjalët e njerëzve dhe vrimat e gardhit nuk ndalen asnjëherë.

Pa kurrfarë pretendimesh do të mbrohem duke e dhënë biografinë time dhe arritjet e mia, vetëm dëshiroj disa lexuesve t’u dërgoj mesazh dhe t’i mësoj si prind. Them t’i mësoj, pasi mosha ime dhe rruga ime jetësore nuk më lejojnë të shërbehem me shprehje vulgare.

E gjithë pasuria ime dhe në pjesë e madhe e humbur është krijuar, ndërsa betohem para Zotit dhe para jush, në mënyrë të ndershme dhe dinjitoze.

Nëse dikush nuk beson në këtë pohim timin lirisht le ta kontrollojë portfolion time, e cila nuk paraqet asgjë më shumë, përveç rrugën time të kaluar nëpër të gjitha sfidat jetësore. Kam pasur lloj-lloj sfidash, të cilat më kanë bërë të jem më i fuqishëm, më me përvojë dhe të veproj me fisnikëri në rrethimin tonë. Nuk jam njeri që urren, që hakmerret, përkundrazi, jam filantrop.

Qëllimi për këtë kolonën time – rrëfim është të dërgoj mesazh për të gjithë shfrytëzuesit e Fejsbukut dhe Tuiterit të cilët gjithë ditën e kalojnë me qëllim që të ofendojnë, kritikojnë pa argumente dhe e krijojnë një pasqyrë të keqe për të gjithë shoqërinë tonë. Shumë prej jush më njohin si personalitet, si emër dhe mbiemër, si dikush që vjen nga sfera e bashkësisë së biznesit, por nuk më njohin si njeri.

Me qëllim që ta ruaj qetësinë time, zgjodha që t’i ndërpres kolumnat e mia, të cilat janë shkruar me qëllim të mirë, që të kontribuoj në ndërtimin e një shoqërie më të mirë.

Nuk i gjykoj ata që më kritikojnë mua, por i porosis para se ta shprehin qëndrimin e tyre, i cili nuk mban, më shumë ta vënë gishtin në kokë për atë se të gjithë ne jemi njerëz dhe se kërkojmë të na respektohet dinjiteti ynë.

Nuk jam kriminel, i pasur tranzicioni nuk jam, por jam qytetar i rëndomtë i Republikës së Maqedonisë i cili ia dëshiron më të mirën për zhvillimin e saj shoqëror-ekonomik dhe kulturor.

Shpesh herë mendoj se cila është arsyeja tek bashkëqytetarët e mi të ofendojnë njerëz të cilët nuk e meritojnë atë.

As nga larg nuk dëshiroj të jem personi më i dashur në Maqedoni dëshiroj të jem qytetar i rëndomtë i cili akoma mund dhe dëshiron t’i ndihmojë atdheut të tij, por për fat të keq erdha deri tek konstatimi se paqja dhe qetësia janë shumë më të rëndësishme për mua sesa kritikat e paqëndrueshme të cilat më lëndojnë mua, të afërmit e mi dhe miqtë e mi.

Të gjithë juve me gjuhë të liga ju dëshiroj edhe ju ta gjeni qetësinë dhe të filloni të mendoni në mënyrë racionale dhe të veproni për ta bërë vendin tonë vend më të mirë dhe më të sigurt për të jetuar.

Nuk do t’u them lamtumirë kritikëve të mi, pasi nuk e dimë se çfarë sjellë koha, unë jam këtu dhe gjithmonë jam i gatshëm për ndërtimin e veprave të mira.

Kontributi im do të jetë aq sa do të mundem dhe që do të vlerësoj se duhet të jap.

Mirëmbetëshi kritikë të mi dhe dëshiroj që prej kësaj kolumne të nxjerrni leksione për veten tuaj si personalitete.

Mendoj se kjo nuk është mënyrë e zakonshme e komunikimit, megjithatë statusi im si kolumnist në INBOKS7 ma jep të drejtën për të reaguar ndaj kësaj dukurie devijuese e cila nuk i shërben për nder askujt, ndërsa aq më pak shoqërisë, pasi kështu nuk ndërtohet shoqëri e shëndoshë dhe funksionale.

Falënderim për të gjithë lexuesit e kolumnave të mia të cilët më kanë mbështetur.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit