Data e sotme
December 9, 2019

Opsioni i tretë politik: A është tani koha?

Ka apo s’ka hapësirë për subjekt të ri politik, që do të ishte parti e “polit të tretë” tek shqiptarët? Mendimet janë të ndara

Përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, nxori  si më të fuqishme dy subjektet kryesore politike shqiptare  BDI dhe PDSH, duke eliminuar partinë e tretë shqiptare RDK.

Në fakt, këto zgjedhje vërtetuan se në politikën shqiptare në Maqedoni, funksionon binomi  BDI-PDSH dhe opsioni i tretë e ka të vështirë të veprojë.

Ali Pajaziti: Platforma e kësaj alternative autentike do të duhej të bazohej në vlerat dhe virtytet, në të mirën kolektive, e jo në atë klanore

Ali Pajaziti: Platforma e kësaj alternative autentike do të duhej të bazohej në vlerat dhe virtytet, në të mirën kolektive, e jo në atë klanore

Nga pavarësimi i Maqedonisë, gjithmonë ka pasur nisma dhe parti politike tek shqiptarët, të cilat kanë tentuar t’u kundërvihen subjekteve të mëdha politike, së pari PPD-së, më pas PDSH-së  dhe së fundi BDI-së.

Nismat më serioze politike të “rrugës së tretë politike” tek shqiptarët, që kanë shënuar rezultate relativisht të mira, kanë qenë RDK-ja dhe DR-ja.

RDK-ja  bashkë në zgjedhjet e vitit  2011 dhe 2014  gjithsej fitoi tre deputetë.Ndërsa DR-ja, me kandidatin e saj për president, liderin  Imer Selmani, në zgjedhjet presidenciale të vitit  2009, fitoi 146.795 vota, por nuk siguroi asnjë deputet.

Profesori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL)Ali Pajaziti vlerësoi për Inbox7 se pas konsumimit  të madh të dy opsioneve politike shqiptare në Maqedoni, lindja e një alternative politike është domosdoshmëri.

 

Opsioni i  ri  si alternativë e dështimeve  të BDI-së  dhe PDSH-së

 

Të dyja partitë politike tanimë janë një instancë e provuar, e shijuar dhe e dështuar. Andaj të gjitha predispozitat janë për të gjeneruar një opsion të tretë, që do ta marrë timonin e kësaj letargjie dhe apatie politike, të këtij deprimimi politik të qytetarëve shqiptarë ”, theksoi Pajaziti. Sipas Pajazitit, BDI-ja është defaktorizuar totalisht nga gruevizmi agresiv.

Fami Bajrami: Opsioni i tretë tek shqiptarët e Maqedonisë nuk është  jetëgjatë

Fami Bajrami: Opsioni i tretë tek shqiptarët e Maqedonisë nuk është jetëgjatë

Por përkundër  se opsioni i tretë politik është shumë i nevojshëm tek shqiptarët, kryeredaktori i portalit “Zhurnal”, Fami Bajrami vlerësoi për Inbox7  se opsioni i tretë tek shqiptarët e Maqedonisë nuk është  jetëgjatë.

Si opsion i tretë në Maqedoni ndoshta shihej RDK-ja, por ajo përfundoi keq në zgjedhjet e 27 prillit”.

“ Kjo tregoi se hapësira e veprimit të një opsioni të tretë tek ne është e ngushtë. Si defekt si duket paraqitet mospasja e një platforme më serioze dhe më joshëse për votuesit shqiptarë”, tha Bajrami

” Fitohet përshtypja se mbi dy subjektet kryesore BDI e PDSH, s’mund të dalë kush mbi ta”, konstatoi Bajrami.

Për më shumë profesori Ali Pajaziti mendon se ka hapësirë për krijimin e një subjekti me opsion të ri politik, duke u nisur edhe nga fakti se partia shqiptare në pushtet, BDI është në defansivë të përhershme.

Rrugë e tretë do të duhej të mblidhte trurin fisnik shqiptar të margjinalizuar dhe elitën intelektuale të dëlirë, por jo edhe  militantë partiakë”, tha Pajaziti.

Isamet Bakiu, ishte njëri ndër udhëheqësit e lëvizjes  studentore në Universitetin e Tetovës, në vitet e 90-ta. Bakiu sqaroi se shqiptarët kanë nevojë për një lëvizje që do të përcaktojë objektiva të qarta, të kapshme dhe të matshme për ta avancuar statusin politik të shqiptarëve.

Kjo lëvizje duhet të veproj në drejtim të unifikimit të faktorit politik, arritjes së marrëveshjes brenda faktorit politik shqiptar, definimit të kërkesave politike si dhe të kërkojë përgjegjësi për mospërmbushjen e kërkesave nga faktori politik”, shtoi Bakiu.

Megjithatë Bajrami  specifikoi se disa intelektualë shqiptarë, pa sukses, kanë provuar formimin e një opsioni të ri politik.

Opsioni i tretë tek shqiptarët e këtushëm rezultoi të jetë i dëmshëm, pasi edhe në zgjedhjet e kaluara, parcializimi dhe copëtimi i votës dobësoi tej mase mandatet e deputetëve”, tha Bajrami.

Situatë identike kemi edhe tek maqedonasit, kemi dominimin absolut të dy partive, VMRO-DPMNE-ja e LSDM-ja”, përfundoi Bajrami.

 

Platforma e opsionit të ri politik

 

Cila do të ishte platforma dhe me cilat çështje do të merrej opsioni i ri politik shqiptar?

Profesori Pajaziti nënvizoi se platforma e këtij opsioni do të duhej të ishte ngjizje apo mpleksje e dy komponentëve, të etno-apologjisë edhe socio-ekonomisë.

Platforma e kësaj alternative autentike do të duhej të bazohej në vlerat dhe virtytet, në të mirën kolektive, e jo në atë klanore”.

“Shifrat 153.000 dhe 70.000 vota nuk kanë më kurrfarë kuptimi, ato janë vetëm aritmetikë e thatë”, tha Pajaziti.

Isamet Bakiu: Lëvizja e re politike, duhet  të ketë si objektiv interesin e qytetarit shqiptar

Isamet Bakiu: Lëvizja e re politike, duhet të ketë si objektiv interesin e qytetarit shqiptar

Ndërsa Isamet Bakiu, shtoi se lëvizja e re politike, duhet  të ketë si objektiv interesin e qytetarit shqiptar.

Një subjekt politik, që nuk do ta ketë programin dhe platformën e saj, të bazuar mbi barazinë e plotë të shqiptarëve në aspektin politik, ekonomik, social dhe kulturor, nuk do të ishte asgjë tjetër, veçse një Déjà Vu politike”, konstatoi Bakiu.

Partitë  politike të cilat janë formuar dhe kundërvënë  partive me më ndikim, kanë qenë të  paorganizuara.

Partitë e opsionit  të ri nuk vepruan në mënyrë autonome  tek elektorati.Ato me drejtim kombëtar, pas një  kohe u zhdukën nga skena politike ,ndërsa të tjerat të profilit sub- politik u bënë pjesë përbërëse e partive më të forta gjatë fushatave dhe kombinimeve qeveritare.

Si rast mund të veçohet  PPD-ja, e cila pas debaklit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, ka bërë lëvizje të shumta politike. Herë bënte koalicion me PDSH-në, e herë me BDI-në, që në fund Abdylhadi Vejseli, të vendos për shkrirjen dhe bashkëngjitjen e saj  PDSH-së. Për së fundi herë kjo parti u përpoq të riaktivizohet  para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, por ende pa u themeluar, kjo parti, u përça.

Të gjitha partitë e polit të tretë të themeluara në dy dekadat e fundit, nuk kanë më asnjë peshë politike dhe nuk arritën të profilizohen si subjekte alternative që do tu konkurronin partive  politike  BDI  dhe  PDSH.Opsioni i ri politik apo rruga e tretë pas zgjedhjeve të prillit,  ngel një dëshirë dhe shpresë  e shtresës  sociale,  e cila nuk është  integruar në stukturat partiake të BDI-së dhe të PDSH-së.

 

Kronologji e opsionit të tretë  politik (1990-2014)

Në vitet 1990-1998 kanë funksionuar Partia Demokratike Popullore(PDP) e mjekut Jusuf Rexhepit, e më pas Iljaz Halimit,Partia Liberale Shqiptare(PLSH) e Xhemil Idrizit dhe Hysen RamadanitPartia Republikane e Unitetit Popullor(PRUP), të cilën e formoi lideri i parë i Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD),Nevzat Halili.

Ish zyrtari i lartë i PPD-sëAsllan Selmani pati formuar Aleancën Demokratike Shqiptare (ADSH).

Pas konfliktit të vitit 2001, njëri ndër udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare(UÇK)Harun Aliu, formoi Alternativën Kombëtare(AK). Deputeti i pavarur, Mevlan Tahiri, në vitin 2002 themeloi Partinë Republikane(PR), e cila më pas hyri në koalicion me Partinë Demokratike Shqiptare(PDSH) dhe për një kohë të shkurtër u zhduk nga skena politike. Poashtu, pas konfliktit, edhe ish komandanti i ish UÇK-sëXhezair Shaqiri-Hoxha, së bashku me Kastriot Haxhirexhën dhe disa veprimtarë tjerë themeluan Partinë Demokratike Kombëtare (PDK).

Ish deputeti Hysni Shaqiri, pas braktisjes së BDI-së formoi Forcat e Reja Demokratike (FRD), ndërsa më vonë kjo parti u quajt Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK). Njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës (LÇK)Bardhyl Mahmuti, nga Tetova, pasi braktisi PDSH-në, në vitin 2006, formoi Bashkimin Demokratik Shqiptar (BDSH). Parti me emër të ngjashëm, Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptar (PBDSH), para vitit 2002, ka drejtuar profesori i Edukatës Fizike në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT)Besnik Telai. Ish ambasadori i Maqedonisë në Zvicër nga rradhët e PDSH-së Alajdin Demiri, në vitin 2006, ka provuar të formojë një subjekt politik. E quajti Partia për Ardhmëri Demokratike(PAD), por kjo parti nuk pati të ardhme.

Ndërsa shqiptarët kanë pasur edhe një subjekt me prapashtesën fetare. Ka qenë pikërisht Partia e Aksionit Demokratik- Rruga Islame (PAD-RRI), me kryetar Qenan Mazllamin. RDK-ja në zgjedhjet e vitit 2011 dhe 2014 gjithsej fitoi tre deputetë.

PPD –ja e  vitit 2014 u shpërbë në fraksione para zgjedhjeve parlamentare dhe rezultati ishte dëshpërues.

 

Redaktor: Selim Ibraimi

tahiri@inbox7.mk