Shumë palestra, pak rezultate
Palestrat sportive, projekt i Qeverisë, më tepër kanë qëllim politik, se sa sportiv. Palestra ka shumë në numër, por rezultatet e arritura janë minimale
- Kriza e rrezikshme në Maqedoni: zgjidhje në institucione apo në rrugë? - March 1, 2015
- Televizionet lokale dhe rajonale në krizë - February 18, 2015
- Shkollim sa një mjek – diplomë arsimtari! - February 2, 2015
Në Maqedoni viteve të fundit një ndër projektet më atraktive qeveritare është ai për ndërtimin e palestrave sportive.
Sipas Agjencisë së Rinisë dhe Sporteve (ARS), palestrat e reja kanë për qëllim të zbusin deficitin e objekteve sportive dhe të krijohen kushte për zhvillim të rregullt strategjik të të rinjve në Maqedoni.
Redaktori i sportit i gazetës ‘Lajm’, Reshat Ibrahimi deklaroi për Inbox7 se ndërtimi i 35 palestrave as për sa afërmi nuk ka plotësuar kërkesat e njerëzve që merren me sporte të ndryshme. “Me vetëm nga një sallë sportive në një komunë nuk zbutet mungesa e objekteve sportive, pasi interesimi për tu marrë me sport tek qytetarët është shumë i madh”. “Vetëm 35 palestra nuk mund të thuhet se kanë krijuar kushte themelore për zhvillimin e sportistëve. Ndërtimi i tyre ka qenë më shumë publicitet i Qeverisë, pas premtimeve të dhëna në fushatat parazgjedhore dhe jo se ka qenë një ide për të plotësuar kërkesat e qytetarëve për tu marrë me sport”, theksoi Ibrahimi.
Palestrat me dyert të mbyllura për të gjithë qytetarët
Ndërsa profesori i Edukatës Fizike në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), Besnik Telai tha për Inbox7 se benefitet nga palestrat e ndërtuara nga qeveria janë shumë të vogla, ndërsa disa nuk funksionojnë, meqë kanë mangësi. “Të gjitha klubet që i shrytëzojnë palestrat, synimin kryesor nuk kanë zhvillimin dhe masivitetin e sportit, por materializimin e aktivitetit, pasi nuk i kanë dyert e hapura për të gjithë pa pagesë. Administrimi dhe organizimi i sportit nga ana e qeverisë ka qëllim të vetëm marketingun politik”.
“ Ndërtimi i palestrave është shumë më i lirë se sa të stërviten sportistët brenda dhe jashtë vendit, duke u njohur me trendet botërore. Sporti menaxhohet në mënyrë identike si politika staliniste e qeverisë diskriminuese”, theksoi Telai duke shtuar se “ Komiteti Olimpik (KO) dhe organizatat sportive jashtë qeverisë janë në mjerim, madje ata sikur nuk ekzistojnë”.
Telai sjell shembullin e palestrës së Shkollës Fillore “Liria” në Shkup, në të cilën u zhvilluan shtatë sporte dhe arriheshin rezultate marramendëse. “Tani ka palestra por s’ka asgjë në dritë. Palestrat në të kaluarën ishin të hapura për të gjitha shtresat e popullatës. Mos hapja e këtyre sallave ndaj të gjithëve ndikon në moszhvillimin e sportit, gjë që reflektohet edhe ndaj rezultateve të kombëtareve të shtetit”, tha Telai.
Tetova: Pesë palestra, pak rezultate sportive!
Deri para disa viteve në Tetovë, vetëm një shkollë kishte palestër sportive, e cila nuk i plotësonte as nevojat minimale për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së sportit në këtë rajon. Mungesa e infrastrukturës sportive dhe në veçanti e palestrave nuk u ka dhënë mundësi të barabarta të rinjve të këtij rajoni me ato të moshatarëve të tyre që jetojnë në rajonet e zhvilluara.
Shaban Sinani, është gazetar i sportit nga Tetova. Ai mendon se projekti do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së sporteve që zhvillohen në terrene të mbyllura. Megjithatë Sinani mendon se këto palestra duhet të menaxhohen në mënyrë më efikase. “Sallat sportive gjithsesi se kontribuojnë për çrrënjosjen e shprehive të këqija duke i nxitur të rinjtë të merren me sport dhe aktivitete fizike. Shfrytëzimi i tyre për qëllimin e duhur varet nga menaxhimi i drejtuesve të palestrave por edhe interesimi i të rinjve. Këto palestra nuk shfrytëzohen me kapacitet të plotë”, shprehet Sinani.
Njësoj si Telai, gazetai Sinani sjell shembullin kur para disa viteve Tetova kishte vetëm një palestër jo të konsolidaur sportive, por kishte shtatë klube të volejbollit, që garonin në Ligën e parë, dy ekipe të basketbollit, ekip të hendbollit dhe klube të shumta të boksit, karatesë dhe kik boksit. Ndërsa tani kur ekzistojnë pesë palestra sportive, Tetova ka vetëm dy klube të volejbollit, një shkollë të basketbollit, tri klube të karatesë dhe dy klube të futsallit.
Namikqemal Mustafa, trajner i Klubit të Volejbollit “Shkëndija” deklaroi se klubet sportive i shfrytëzojnë palestrat e reja. “Palestrat sportive në shkolla është e dedikuar për nxënësit, ndërsa pas orarit të mësimit shfrytëzohen edhe nga klubet sportive. Palestra e Gjimnazit në Tetovë shfrytëzohet në mënyrë maksimale ekskluzivisht vetëm për nevojat e sportistëve dhe klubeve sportive”, tha trajneri Mustafa.
Palestrat e reja sportive janë me dimensione 48x24m, ndërsa janë të pajisura me pajisjje sportive për futboll të vogël, hendboll, basketboll, volejboll, ping-pong dhe gjimnastikë. Në rajonin e Tetovës janë ndërtuar palestra në Bërvenicë, Poroj, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, në Gjimnaz, në Shkollën e Mesme të Tekstilit. Ndërsa në ndërtim e sipër është edhe palestra në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Shkollën e Mesme Ekonomike dhe në Shkollën Fillore “Përparimi” në Reçicën e Madhe.
Qeveria e Maqedonisë përmes Agjencisë së Rinisë dhe Sporeve investon në këto komuna:
-
Makedonski Brod
-
Bërovë
-
Pehçevë
-
Vallandovë
-
Ilinden
-
Gjorçe Petrov (Novo Sello)
-
Çeshinovë-Obleshevë
-
Saraj
-
Demir Hisar
-
Kumanovë
-
Gazi Babë (Maxhari)
-
Bërvenicë
-
Sveti Nikollë
-
Likovë (Sllupçan)
-
Bogovinë (Zherovjan)
-
Probishtip (Zletovë)
-
Kisella Vodë
-
Gjorçe Petrov
-
Novo Sello
-
Manastir
-
Shkup (Universiteti Shën Kirili dhe Metodij)
-
Shtip (Universiteti Goce Dellçev)
-
Tetovë (Universiteti Shtetëror i Tetovës)
-
Shkup (Qendër-Fakulteti i Kulturës Fizike)
-
Shkup (Aerodrom)
-
Shkup (Qendër)
-
Shkup (Butel)
-
Tetovë (Poroj)
-
Shkup (Radishan)
-
Shkup (Kisella Vodë)
-
Mavrovë (Rostushë)
-
Kërçovë
-
Shkup (Gazi Babë)
-
Kriva Pallankë
-
Strumicë (Kuklish)
Redaktor: Selim Ibraimi