Data e sotme
January 31, 2023

Partitë në terren: A do të ketë sërish zgjedhje të parakohshme?

Opozita maqedonase ka ndërmarrë aksionin për takime me qytetarët në terren, por VMRO-DPMNE-ja dhe mediat e saj thonë se aktivistët opozitarë nuk duken askund. Nga ana tjetër, analistët vlerësojnë se partitë shqiptare preferojnë izolimin e tyre në kabinete

Opozita maqedonase në tentim për të konsoliduar radhët e saj filloi projektin “Punojmë së bashku”. Jo më pak se 5000 aktivistë partiakë të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) në opozitë do të tentojnë që duke trokitur derë më derë, të bindin qytetarët që të mbështesin politikat opozitare.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM)Oliver Spasovski deklaroi për Inbox7se aktivitetet intensive në mesin e qytetarëve janë në pajtim me Strategjinë e re për veprim politik.

Ndërtojmë raport partneriteti me qytetarët, i dëgjojmë nevojat dhe problemet dhe ofrojmë zgjidhje të pranueshme. Maksimalisht jemi të përkushtuar në realizimin e qëllimeve të përcaktuara për kthimin e stabilitetit ekonomik dhe social dhe te lirisë e demokracisë në vend”, shprehet Spasovski sipas të cilit bëhet fjalë për ndryshim themelor të mënyrës së funksionimit të LSDM-së dhe jo thjesht për një fushatë.

 

Politikat opozitare të LSDM-së ironizohen nga qeveria

LSDM: Me politikat e dëmshme të pushtetit të Nikolla Gruevskit është rrezikuar ekzistenca e një pjese të madhe të qytetarëve

LSDM: Me politikat e dëmshme të pushtetit të Nikolla Gruevskit është rrezikuar ekzistenca e një pjese të madhe të qytetarëve –  FOTO ARKIV

Motivimi ynë janë qytetarët dhe zgjidhja e problemeve të tyre. Me politikat e dëmshme të pushtetit të Nikolla Gruevskit është rrezikuar ekzistenca e një pjese të madhe të qytetarëve. Edhe më keq është dëmtuar ekzistenca e shtetit. Çdo ditë plotësuese në pushtet e Nikolla Gruevskit është katastrofë për Republikën e Maqedonisë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Oliver Spasovski.

Pushteti përmes mediave të afërta me të, ka ironizuar me nismën e opozitës dhe sipas tyre edhe pse opozita ka njoftuar se do të jetë në terren, në fakt me qytetarët takohet pushteti.

Sipas mediave proqeveritare, ekipet opozitare askush nuk i ka parë në terren, ndërsa doracaku që u është dhënë aktivistëve përmban elemente se si të sillen dhe të komunikojnë me qytetarë, madje përmban edhe elemente banale se si ti bihet ziles ose të trokitet në derë dhe përshkruhet edhe distanca e qëndrimit larg derës së banesave ose shtëpive.

LSDM-ja sulmet e këtilla nga ana e pushtetit i cilëson si të paargumentuara, njëjtë siç janë sipas saj edhe shkrimet e porositura në mediat proqeveritare. “Por, nuk kemi pritur që pushteti të tregojë kaq neurozë të madhe. Me siguri se ndaj kësaj ndikon largimi i pushtetit nga qytetarët dhe jetesa e tij jashtë realitetit”, komentoi Spasovski.

Redaktori i TV ALSAT-M, Isuf Kadriu,vlerëson se aktivitetet e partive maqedonase janë të vazhdueshme dhe sipas tijLSDM-ja e në veçanti VMRO-DPMNE-ja asnjëherë, e para së gjithash viteve të fundit nuk janë shkëputur nga elektorati i tyre. “Ata në vazhdimësi kanë zhvilluar takime për t’i njoftuar qoftë me aktivitetet e tyre në qeveri, apo opozita për të kritikuar punën e qeverisë. Pra, qëllimi i tyre është ruajta e trupit votues dhe tërheqja e të papërcaktuarve, apo atyre që abstenojnë në zgjedhje, e që numri i tyre është i madh, me tendencë të rritjes së mëtejmë”, thotë Kadriu. Ndërsa Sevdail Demiri, hulumtues shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup (ITSHKSH) vlerëson se politikanët maqedonas e shfrytëzojnë çdo rast dhe çdo mundësi që u jepet, për të takuar qytetarët, përkatësisht zgjedhësit e tyre real dhe ata potencial dhe për t’u ballafaquar drejtpërdrejtë me hallet, problemet dhe kërkesat e tyre, ndërsa ai mendon se politikanët shqiptarë u ikin takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët, për shkak se nuk kanë asnjë lloj përgjigje në kërkesat e tyre eventuale objektive.

 

Partitë shqiptare nuk i takojnë votuesit

Analistët vlerësojnë se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme varet nga VMRO-DPMNE-ja

Analistët vlerësojnë se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme varet nga VMRO-DPMNE-ja

Demiri thekson se ky problem nuk është i sotëm, por pafundësisht i përsëritshëm, fatkeqësisht. “Unë shpesh shoh këshilltarë komunalë, drejtorë, deputetë apo ministra maqedonas, që ditëve të fundjavës, të vetëm dhe pa truproje, ndalen nëpër rrugë e sheshe dhe bisedojnë lirshëm, nga afër, pa komplekse me qytetarë të kategorive të ndryshme. Kjo flet për një pjekuri dhe një vlerë më të lartë të përgjegjësisë shoqërore e politike, e cila fatkeqësisht ende mungon tek politikanët shqiptarë. Partitë shqiptare janë në terren vetëm gjatë fushatave zgjedhore, dy- tre javë, dhe më pas struken nëpër gëzhojat e tyre të errëta, e nuk shihen askund deri në zgjedhjet e radhës. Shumicën e tyre nuk ke shanse më t’i takosh as nëpër lokalet e lagjeve, nëpër zyre gjithnjë janë “të zënë”, i ndërrojnë numrat e telefonit, dhe bëhen të pakapshëm. Sa për ironi, ata madje shpesh hezitojnë të marrin pjesë edhe kur janë të ftuar nëpër aktivitete thjeshtë të natyrës kulturore, artistike apo sportive”, sqaron Demiri.

 

Aktivizmi partiak në terren

 

Eksperti i çështjeve juridike, Fatos Rushiti konsideron se aktivizimi politik-partiak në kushte kur shteti nuk është i ndarë nga partitë apo diktati politik partiak dëmton rëndë demokracinë në Maqedoni. Duke komentuar lidhur me atë se vallë aktivizimi partiak në terren ka të bëjë me inicimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, thotë se në Maqedoni ndodh një fenomen i çuditshëm, e ai është që pushtetit i konvenon mbajtja e zgjedhjeve të këtilla. “Praktikisht zgjedhjet kërkohen me ngut nga partitë opozitare, por vetëm në Maqedoni zgjedhjet janë mbajtur në insistimin direkt të partive në pushtet. Ky trend negativ shpreh përmasën e dobët të shtrirjes së demokracisë në qeverisjen e vendit dhe tendencën që shteti të kontrollohet nga partitë politike dhe çka është më tragjike disa institucione të rëndësishme të Republikës të udhëhiqen nga militantë partiak pa shkollim e specializim paraprak.”

”Vrapi i partisë opozitare që me çdo kusht të hyjë prapë në zgjedhje edhe pse të dhënat në terren flasin që opozita ende nuk është e ristrukturuar”, thotë Rushiti.

 

A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Maqedoni?

 

Ndërkaq Isuf Kadriu mendon se nuk pritet të ketë zgjedhje të parakohshme.

Shpallja e tyre varet nga VMRO-DPMNE-ja, e cila nuk është e gatshme apo nuk sheh arsye për ta çuar vendin në zgjedhje pavarësisht kritikave nga Brukseli për mungesë të dialogut politik. Në anën tjetër edhe opozita nuk ka fuqinë për të iniciuar diçka të tillë për shkak të problemeve brenda vet saj që pavarësisht se nuk janë të dukshme, ato megjithatë ekzistojnë brenda”, theksoi Kadriu.

Fatos Rushiti  sqaron se VMRO-DPMNE-së i konvenon edhe njëherë të hyjë në zgjedhje, tani me më shumë kujdes në administrimin e tyre, që të vlerësohen si të lira dhe demokratike duke i lënë më shumë hapësirë opozitës në vendosje lidhur me politikat zgjedhore.

LSDM që të mund të ketë sukses në zgjedhje duhet të ndërtojë një imazh shumë më të qartë  reprezentativ të liderit të saj, Zoran Zaev dhe të fokusohet në forcimin e skajshëm të autoritetit të liderit të saj, në mënyrë që të minimizohet saktësisht dominimi në parti i ish liderit të saj Branko Cërvenkovski”.

“Opozita duhet të kristalizoje kauzën politike që do të ketë në fokus korrupsionin dhe nepotizmin në të gjitha nivelet e qeverisjes. VMRO është e vetëdijshme se nuk mund ta ketë të njëjtin rezultat si në zgjedhjet që sapo kaluan, por do të realizojë propagandën si ruajtëse e unitetit të shtetit dhe e emrit.  VMRO nuk ka krizë lidershipi, por në fakt është e rrezikuar nga oligarkia e krijuar një dekadë me radhë, nga të njëjtat emra si ministrat dhe drejtorët  e ndërmarrjeve publike, gjë që mundet të nxjerrë në pah mashtrimin publik karshi qytetarëve që tanimë duken të lodhur nga pritja për zhvillim ekonomik dhe integrimet evropiane”, theksoi Rushiti për të konstatuar se “te maqedonasit nuk do te pinë ujë aktivizimet militante partiake për të aktivizuar zgjedhësit pasiv dhe votuesit e rinj”.

 

Dominon BDI, PDSH e parrezikshme

 

Isuf Kadriu: BDI më shumë merret me neutralizimin e pakënaqësive të brendshme sesa me realizimin e programit të saj

Isuf Kadriu: BDI më shumë merret me neutralizimin e pakënaqësive të brendshme sesa me realizimin e programit të saj

Ndërsa Kadriu mendon se partitë shqiptare më shumë merren me vetveten se sa me realizimin e programeve të tyre. “BDI-ja më shumë është e preokupuar me neutralizimin e pakënaqësive brenda strukturave të saj nëpër degë e nëndegë ku nuk kanë munguar as incidentet, pavarësisht se drejtuesit e saj e mohojnë një gjë të tillë, se sa me mbajtjen e takimeve me qytetarët për të sqaruar pozicionin e saj kundrejt sfidave me të cilat përballet vendi siç janë integrimi, kritikat e raportit të progresit të Komisionit Evropian (KE), çështjet ekonomike, punësimet e kështu me radhë”.

“ PDSH-ja gjithashtu ka probleme të shumta brenda saj për shkak të përçarjes dhe problem kryesor i saj është përballja me ithtarët e Ziadin Selës se sa me pushtetin, madje me disa veprime ajo më shumë ka bashkëpunuar me qeverinë, se sa ka kritikuar atë”, thotë Kadriu.

Ndryshe, Rushiti thekson se në kampin shqiptar kemi një dominimin të plotë të BDI së në terren pavarësisht se pakënaqësia qytetare është në rritje, dominimin ky që është i shoqëruar me diktat në raport me aktivitetet e shoqërisë civile dhe krijimin e opinionit publik për të gjitha segmentet dhe nivelet e qeverisjes. Sipas tij, opozita në këtë gjendje siç është nuk mund të rrezikojë pushtetin dhe rrezikohet vazhdimësia e tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“PDSH-ja me përçarjet kaq të vrazhda dhe të hapura midis liderit dhe kryetarit te Strugës, me resurset e pakta profesionale që ka kryesia e saj, e ka të pamundur të jetë konkurrente edhe në zgjedhjet e pritura, pavarësisht se kanë struktura në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarët, por mbeten struktura të dominuara nga simpatizues fanatike partiakë, që janë të pamjaftueshme për të vepruar në mbrojtjen e votës nëpër komisione zgjedhore. Këtë  parti ende nuk e kemi parë të  plotësohet me resurse të reja profesionale e intelektuale, qoftë edhe për të rikthyer intelektualet e vjetër qe kane peshe politike në terren dhe respekt në popullatë”, thotë Rushiti.

Sipas analistëve,nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare,  nuk pritet ndonjë ndryshim në raportin mes forcave politike shqiptare.

 

Redaktor:Selim Ibraimi

tahiri@inbox7.mk