Data e sotme
March 22, 2023

Disa hiena në mesin e gazetarëve

Në garën për klikime dhe pëlqime ka pësuar lajmi – pothuajse në të gjithë artikujt e postuar për skandale, botime tronditëse dhe shqetësuese, këto ditë lexoj vetëm dezinformata dhe gënjeshtra. I shkelin standardet themelore të profesionit të gazetarit. Është e pabesueshme se sa lehtë kaluan nëpër të gjitha parimet etike dhe publikuan fytyrën e një gruaje që është hedhur nga kati i gjashtë, të një personi fatkeq që vari veten përballë Maqedonisë së Re, një fotografi të jashtëzakonshme nga një makinë e shtypur në të cilën janë shuar jetët e pesë të rinjve. Po lexuesi? Për fat të mirë, ai e di të njohë se kush sa dhe në cilën mënyre mendon?

Si hiena që janë të uritura deri në vdekje që mbikëqyrin kufomat – kështu më duken të gjitha ato cope paste on-line punëtori që prodhojnë “lajme” serike dhe ua ofrojnë ato si një produkt gazetari lexuesve të Maqedonisë në rrjetet sociale. Në ditët e fundit, Facebook-u dhe Twitter-i janë të përmbytur me publikime për trekëndësha qesharake të dashurisë, tradhtisë, zemrave të thyera … Më parë na shokuan me publikime për vetëvrasje, për aksidente pa asnjëfarë konfirmimesh dhe deklaratash zyrtare rreth ngjarjeve. Është e rëndësishme që janë në gjueti të klikimeve.

Gjëja më e keqe është se këto publikime janë me një deklarim të rrejshëm “produkt gazetari”. Në garën se kush do ta vjedhë i pari “lajmin ekskluziv” nga konkurrenca dhe nga ai do të bëjë një version prej të cilit lexuesve mund vetëm t’u ngrihen flokët mbi kokë, shkelen të gjitha standardet, kriteret dhe parimet e gazetarisë etike dhe objektive.

Këtu nuk bëhet fjalë as për ndonjë produkt nga gazetarët, as për një informacion të kontrolluar. Është e qartë për të gjithë se është vetëm një kurth për klikime dhe pëlqime. Dhe pasi lajmi i vulgarizuar me një vlerë të përdorshme unike është për të shokuar dhe skandalizuar opinionin në vend, e jo për të informuar, do të postohet në rrjetet sociale, duke pritur për prenë – lajmi është i mbingarkuar artificialisht me klikime dhe pëlqime të cilat absolutisht do të ngrenë grafikun e shikueshmërisë, e cila më së shpeshti pa asnjë relevancë interpretohet se sa lexohet ai medium, me të cilin shkohet në gjueti për reklama. Deri tani nuk e di se dikush seriozisht është marrë me analizën e klikimeve dhe leximeve, por është e sigurt se do të duhet që edhe on-line mediat dhe reklamuesit ta thyejnë atë famë me qindra mijë klikime. Dhe në fakt, sa vlen ai një klik kur shumë herë deri tani kam qenë në situatë që të turpërohem për shkak të gjërave që quhen produkte gazetari dhe ofrohen si një produkt i tillë? Thjesht është e pabesueshme se sa dikush dëshiron që në mënyrë të lehtë të përfitojë bukën duke shkelur mbi fatet e të tjerëve, duke lehur për jetët e njerëzve të tjerë?

Ndjeja turp nga ajo që është shkruar dhe botuar dhe kur para disa vitesh në mënyrë të kobshme përfundoi një jetë fatkeqe – njeriu vendosi të marrë shpirtin, vari veten në një pemë në park përballë ndërtesës së Maqedonisë se Re. Dhe atëherë disa “prodhues” të rinj në on-line hapësirën e keqpërdorën këtë fat të rëndë të qytetarit tonë, por u dënuan menjëherë nga komuniteti FB dhe Twitter. Pa asnjë gram mendje dhe vetëdije, e me qëllim të shokojnë dhe njëkohësisht të marrin klikime, i ftuan lexuesit e tyre për ta lexuar tekstin e tyre me titull të shëmtuar: “Ky është njeriu që vari veten në një pemë te Maqedonia e Re“.

Ky njeri fatkeq ka një familje, ka fëmijë, ka një grua. Ka miq, fqinjë. Ky njeri kishte jetën e tij, kurse hienat madje edhe me (FOTO) publikuan, vetëm për të fituar një klik më shumë se të tjerët. Si vlen një klik kolegë? Dhe, sa në fakt vlejnë të gjitha ato klikime dhe pëlqime të mbingarkuara artificiale nga publiku ynë në FB ose Twitter? Dhe çfarë ndodh me të gjitha ato klikime dhe pëlqime të marra për lotët, gjakun dhe pikëllimin e dikujt? A kështu do ta matim cilësinë apo mendjen?

Ndjeja turp që jam gazetar dhe nga raportimi i disave në on-line hapësirën kur në një aksident të rëndë në bodrumin e ndërtesës së Inspektimit të tregut në Shkup, janë shuar jetët e pesë të rinjve. Më erdhi turp se kam lexuar një revistë, e cila është shitur si një produkt gazetaresk, kurse nga çdo fjali dilte një shok, tmerr.

Parimet etike të profesionit të gazetarisë mendoj se atëherë u hodhën më larg. Madje kam menduar – a ka njerëz midis nesh gazetarëve? Dhe tani mendoj – Cilat janë ato hiena në mesin e gazetarëve të cilët me ditë të tëra përpiqeshin të fitonin klikime dhe pëlqime të pavlefshme për ngjarjen e kobshme që ndodhi para një jave me publikimin – “Kjo është gruaja e këngëtarit të njohur, e cila u hodh nga kati i gjashtë”?!

Në raportimin joprofesional mbi këtë ngjarje tragjike nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga një organ kompetent. Ende ekzistojnë linqet e turpit:

“Sipas informatave të fundit ndoshta nuk bëhet fjalë për një vetëvrasje, por për një fatkeqësi në vendin e punës ose diçka tjetër. Gruaja “e mori jetën e saj”, duke u hedhur nga kati i gjashtë i ndërtesës ku ka punuar ajo. Çfarë saktë ka ndodhur askush nuk e di, as nëse tragjedisë i ka paraprirë ndonjë problem.”

Kjo u ofrua si një produkt gazetari?!

Kur verën e kaluar, gazetarët kroatë e sulmuan maqedonasin i cili përkëdheli një fokë në plazhin e Pulës, duke publikuar se e ka rrahur dhe e ka maltretuar atë, me ditë të tëra bëhej debat për jo profesionalizmin e kolegëve nga Kroacia. Në rrjetet sociale doli në pah edhe shumë nacionalizëm dhe primitivizëm. E gjithë kjo është krijuar nga dezinformimi klasik për një ngjarje, në të cilën një qytetar i yni ka përkëdhelur një fokë në plazh, kurse ishte portretizuar si një përdhunues, i cili ka rrahur dhe maltretuar, prandaj u dëbua nga vendi. Dezinformata e para e publikuar për maqedonasin – “fokazhder (keqtrajtuesin e fokës)” ka tërhequr edhe një dezinformatë klasike – Maqedonasi u dëbua nga Kroacia jo për shkak të ngjarjes në plazhin e Pulës, por për shkak se ai nuk ka rregulluar qëndrimin e tij në vend. Atëherë edhe në Maqedoni, krejtësisht pa përgjegjësi e ndezëm opinionin për një debat shterpë, të shkaktuar nga një lajm që është transmetuar me parimin cope paste (pa u kontrolluar). Dhe, pasi më vonë e pamë videon e postuar në Dnevnik.hr, u përpoqëm të korrigjojmë diçka që nuk mund të korrigjohet – jo profesionalizmin tonë. E duam një gazetari të përgjegjshme. Duam lexuesit t’i ofrojmë një informacion të saktë, të kontrolluar. Duam ta informojmë ose ta shokojmë atë, ta befasojmë? Ndoshta dikush do të vërejë se e teprojmë dhe se në skenë është gazetaria tabloide! Të paktën të prodhojnë edhe këtë!

Dhe tani – a ka zgjedhje për të dalë nga balta?

Gjithsesi po, është për të lavdëruar projekti i financuar nga USAID-i për forcimin e gazetarisë së Maqedonisë përmes recensimeve të drejta të gazetarëve profesionistë dhe kontrollimit të fakteve. Por, kjo nuk është e mjaftueshme!

Por, mundet të paktën me zërin tonë me të cilin synojmë të themi të vërtetën tonë për lirinë e mbytur, për presionet dhe auto-censurën që rrëmben profesionin tonë, të luftojmë edhe për parimet tona të raportimit etik dhe objektiv, kur tashmë nuk kemi as gjykatën, as këshillin e nderit. Ose e kemi atë – vetëm në mënyrën deklarative në SHGM-në. Në vitet e nëntëdhjeta, ishte tërësisht ndryshe – kishte edhe gjykatë edhe këshill. Dhe ndoshta nga ndonjë hienë.

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të kolumnave. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit