Data e sotme
November 30, 2022

Amnistia, “drejtësia” në aulidë

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Metaforat e mëdha të letërsisë botërore gjithnjë rikthehen. Ato vijnë për t’u bërë pjesë e aktualitetit, për ta intepretuar atë në kompleksitetin dhe paradoksin e vet. Një ndër kryeveprat e tragjedisë në letërsinë e përbotshme mbetet “Ifigjenia në Aulidë” e Euripidit. Një parabolë e jashtëzakonshme e flijimit për të vënë në lëvizje gjithë dramën që do të pasojë me madhështi tragjike.

Anijet nuk lëvizin dhe misioni për ta pushtuar Trojën duket i pamundur. Agamemnoni është shtangur mes ambicies për lavdi dhe kumteve të parathënësit Kalkant, i cili i bën të ditur se në altarin e flijimit duhet ta çojë të bijën e tij Ifigjeninë. Nuk do të kishim një tragjedi kaq kuptimplote nëse “marrëzitë” e kësaj bote nuk do të përligjeshin me një ndjeshmëri të kulluar që vjen nga flijimi i asaj që është thellësisht e pastër, thellësisht hyjnore. Dhe, e gjithë kjo nëpërmjet joshjes, një intrige për martësë, që më pas do të prodhojë rrëfime tjera, drama tjera përmasash tragjike në letërsinë antike greke.

Edhe 27 prilli i dhunës në parlament ishte një situatë dramatike me përmasa gati tragjike. Ishte një ditë kur realisht u përplasën ideologjia e dhunës dhe ideja për ta nxjerrë Maqedoninë nga humnera ku ishte katandisur. Brenda kohës u identifikuan keqbërësit, ndërkohë që vepra e personave të përfshirë në këtë dhunë ishte kualifikuar si “cenim terrorist i rendit kushtetues”. Gjithë opinioni publik përveç që ishte tmerruar nga ushtrimi i kësaj dhunë, në të njëjtën kohë kishte kërkuar që autorët të dënoheshin për keqbërjen e tyre.

Sidoqoftë, ngjarjet nganjëherë rrokullisen ndryshe nga rrjedha logjike dhe shkojnë në kundërshtim me parimet e promovuara për drejtësi, gjegjësisht për sundim të ligjit në mënyrë joselektive. Dështimi i referendumit tashmë kishte krijuar një situatë tjetër, e cila pamundësonte që të krijohet bazë më e gjerë, gjegjësisht që shumica e deputetëve ta votonin Marrëveshjen e Prespës. Shumë analistë me kohë e kishin paralajmëruar si ky votim jo i mjaftueshëm “pro” referendumit, në një farë mënyrë do t’i trimëronte deputetët e opozitës ta kundërshtonin këtë marrëveshje, gjithnjë duke u mbështetur te rezultatet, të cilat i intepretonin si dështim.

Ky kontekst dhe ky grafikon i zhvillimit të ngjarjeve që nënkupton “lojërat” politike e imponoi në njëfarë mënyre dhe e bëri thellësisht vendimtare votën e disa deputetëve të opozitës, të cilët kishin marrë pjesë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në parlament. Amnistia për ta dukej e pashmangshme, në kohën kur kërkoheshin votat për ta hapur kushtetutën për ndryshimet që i kërkonte Marrëveshja e Prespës.

Ligji për amnisti tashmë është votuar në parlament. Ligjin e ka mbështetur edhe VMRO-DPMNE edhe pse amandamenti i tyre për amnisti të përgjithshme nuk është prauar. Lideri i ASH-së, Zijadin Sela miratimin e ligjit e ka cilësuar si vrasje të dytë, ndërsa ata që ë kanë mbështetur i ka quajtur keqbërës. Sela ka qenë më i dëmtuari në 27 prillin e dhunshëm në parlament. Ai është rrahur për vdekje.

Brenda kohës, deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, ka theskuar se ligji nuk do t’i përfshijë dhunuesit dhe organizatorët e dhunës me 27 prill në kuvend. Ajo ka theksuar se ligji nuk synon rikualifikimin e veprës dhe nëse pranohet ose jo amnistia për secilin të akuzuar do vendosë gjykata.

Kush dhe si do të amnistohet duket se mbetet çështje procedurash dhe formulimesh. Një gjë mbetet e sigurtë që amnisti do të ketë edhe për keqbërësit prej të cilëve tashmë duket se varet fati i një procesi politik me shumë turbulenca. Shumë protagonist të jetës publike shmangien e drejtësisë ndaj këtyre personave të dhunshëm e kanë parë në suaza të një domosdoshmëri fatale, apo si një e keqe e domosdoshme, sidomos pas dështimit të referendumit që mbetet një storie më vete.

Duket si perceptim “traumatik” pranimi i amnistisë në kohën kur kjo qeveri erdhi me premtimin e madh për drejtësi. Por, nganjëherë duket se proceset politike të projektuara në një kontekst më të gjerë dinë t’i rrafshojnë gjërat. Në “altarin e flijimit” drejtësia duket se ka vënë “këmbët” delikate përkundër faktit që në një sondazh të bërë kohëve të fundit shumica e qytetarëve ishin deklaruar kundër amnistisë për dhunën e 27 prillit. Ngjashmëritë me flijimin në Aulidë mund të jenë të rastësishme dhe jo të përputhshme. Sidoqoftë, diçka e kulluar, e pastër po flijohet. Histori të tjera do të dëgjojmë ndërkohë!

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit