Data e sotme
February 1, 2023

Thërrmia për votuesit, pushtet për liderët

Të vetmen gjë që partitë fituese mund të bëjnë për votuesit është riaktivizimi i kontratave të vjetra në administratën publike

Tre protagonsitët e skenës politike shqiptare Rama, Thaçi dhe Ahmeti u bashkuan rreth një selfie, duke i ekspozuar ideologjitë partiake që aktualisht e dominojnë trekëndëshin shqiptar.Me këtë pamje të lumtur, ata i dëshmuan fitoret zgjedhore ndaj  opozitave të pafuqishme ku ata e ushtrojnë pushtetin.

Lideri Ali Ahmeti  ishte më i qetë kësaj rradhe dhe buzëqeshja e tij tregonte për të arriturat e fundit në teatrin politik post- zgjedhor.Këtu mungonte vetëm Thaçi i Maqedonisë, i cili sipas shtypit të Tiranës, nuk i ka keq punët me kryeministrin Edi Rama, por nuk i ka mirë me atë të Kosovës.

Ndërkohë, në Shkup kanë vazhduar bisedimet dy palëshe në mes VMRO-DPMNE –së dhe BDI-së.Mediat shkruajnë se grupet punuese janë në fazën përfundimtare të përmbylljes  së negociatave dhe së shpejti pritet formimi i kabinetit të ri.

 

Mesazhet partiake

 

VMRO-DPMNE, si parti që arriti të sigurojë më shumë deputetë në zgjedhjet e fundit, ka vazhduar presionin ndaj  BDI-së, për t’ia ulur numrin e ministrive dhe drejtorive.PDSH u deklarua haptazi se do të përkrahë qeverinë e re dhe përbërjen parlamentare. Për herë të parë një parti shqiptare e opozitës, pas viteve të 90-ta, mbështet pa kushte qeverinë.Tek të dyja partitë politike BDI dhe PDSH, vërehen  kalkulime të ndryshme.

Sipas liderit të BDI-së, programi qeverisës i kësaj partie ka pësuar disa ndryshime në kohën kur kjo parti ka hyrë në negociata me palën tjetër.

Elektorati BDI-së dhe PDSH-së ishte dëshmitarë i dy mesazheve politike me koncepte të njëjta, e që liderët e tyre e “përcollën” gjatë fushatës parazgjedhore.BDI me kërkesën konsensuale dhe integrimet.Kurse PDSH me idenë e hyrjes në qeveri dhe ndryshimet kushtetuese.

Në të dyja variantet ka pësuar elektorati.Liderët, administrata publike dhe anëtarësia e ngushtë partiake janë një ndër fituesit e zgjedhjeve të parakohëshme.Pjesa e BDI-së, pra ajo e administratës publike, pas marrëveshjes së fundit të dy ish-partnerëve, do të dalë e kënaqur dhe do të akomodohet më mirë në sistemin dhe programin qeveritar të VMRO-DPMNE-së. Por një pjesë e anëtarësisë partiake, së paku nga reagimet e para në rrjetet sociale dhe nga raportimet mediatike, ngel e zhgënjyer.

Në rast se FMN, do të rekomandojë zvoglimin e administratës (partiake) në qeverinë e re, atëherë kjo do ta mbingarkonte koalicionin.Në të kundërtën partitë politike, me zgjedhjet e organizuara kanë siguruar një masë mjaft të mirë votuesish.

BDI duke e forcuar administratën aktuale dhe sistemuar anëtarë të besueshëm partiak, ka formuar një bazë, mbështetje dhe mburojë për çfardo kërcënimi të ardhshëm politik.PDSH me nxitjen e mbështetësve të saj për të marrë një numër të konsiderueshëm votash, arriti ta motivojë edhe njëherë elektoratin e saj me thënien se” qeveria na pret”.

PDSH e mbajti konstante variablën e panjohur, të mbijetesës në skenën politike.Për kreun partiak, ishte një dilemë se a do të vazhdonin më tej të ngelnin një opozitë e respektuar.

 

Ahmeti vs Thaçi

 

Nga kreu opozitar nuk raportohet saktë se a janë duke zhvilluar bisedime paralele  me grupin  negociues të  Gruevskit.Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi në fillim, ishte mjaft i sigurtë së do të hyjë në qeveri.Po kështu, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se BDI nuk ka shpejtuar në asnjë vendim për të hyrë në bisedime me VMRO-DPMNE-në.

Nga kjo situatë e post- zgjedhjeve, njoftimet se PDSH edhe mund të mos marrë pjesë në ndarjen e pushtetit, sikur i demotivoi anëtarët besnik të kësaj partie.Baza partiake opozitare në këto rrethana të krijuara mund ta ndryshojë drejtimin dhe të niset drejt partive që ofrojnë mundësi dhe zgjidhje socio-ekonomike.

Sipas dinamikës së bisedimeve, lideri Ali Ahmeti dhe grupi punues i BDI-së, i ka lëvizur pikat e platformës.Sipas tij, së pari duhet të hyjmë në NATO dhe më vonë do t’ju kthehemi të drejtave etnike.Shikimi drejt shtatorit duke e kaluar qershorin mbart disa dilema se si do të veprohet pas samitit.Lideri e bëri të qartë këtë në një intervistë televizive, duke thënë se ” nuk duhet të kushtëzohemi në data dhe muaj”.

Zakonisht BE rekomadon që çështjet etnike dhe zhvillimi  demokratik të jenë një ndër përparësitë për çdo qeveri të sapoformuar.”Rrokullisja” e pikave gjatë bisedimeve me  grupin punues të VMRO-DPMNE-së, e ka favorizuar në fund mandatarin dhe i ka dëshpëruar votuesit partiak të BDI-së. Këto reagime kreu i BDI-së i hodhi poshtë si të pabaza në një takim të zyrtarëve të lartë të kësaj partie në Çair të Shkupit.

Sidoqoftë, qytetarët e të gjitha kategorive sociale, së pari do të ndeshen me administratën besnike që e kanë krijuar partitë kur vijnë në pushtet dhe lakminë opozitare për të qeverisur.

Pogaça e thatë, një vendim  apo kontratë pune në administratë do të jenë një ndër qëllimet e anëtarësisë partiake. Kurse për partitë politike, votuesit do të jenë shtylla ku ata do ta kërkojnë përsëri mandatin dhe legjitimitetin.

 

 

ibraimi@inbox7.mk