Data e sotme
February 1, 2023

Qeverisje me manipulime

Latest posts by Мерсел Биљали (see all)

Me vite jetojmë në virtualitet. Kemi zhvillim virtual, mirëqenie virtuale, madhësi virtuale, histori virtuale, dhe para së gjithash të tashme virtuale. Me ndihmë të propagandës së fuqishme dhe populizmit, te njeriu i thjeshtë është mbjellur kodi mental i cili mashtrimin e pranon si të vërtetë të padyshimtë. Me vite është ndjellur bindja se kjo që na ndodh me këtë pushtet është fat i rrallë që mund ti ndodhë një kombit një herë në një mijë vite. Kjo është kopja e revolucionit kulturor të Mao Ce Tungut – ,,le të lulëzojnë mijëra lule,, ,,le të ndërtohen qindra shkolla,, ,,le të ngriten qindra hidrocentrale,, ,,le të mbjellen milionë drunj,, ,,le të instalohen mijëra kompjuterë ,, dhe një sërë slloganesh të tjera.

Duhej të kalojnë vite që të kuptojmë se kemi qenë të ushqyer me lugë të zbrazur. Tani kuptojmë se pushteti tërë kohën na ka bindur se parajsa gjendet në mesin e ferrit. Se engjulli më i mire është pikërisht djalli i zi. Gëzimi virtual është servuar nga udhëheqës tejet virtuelë dhe na solli deri te një fatkeqësi e madhe. Sepse, na kanë udhëhequr liderë që tërë kohën janë treguar si drunj përplot me fruta, ndërsa në fakt kanë qenë drunj të vetmuar të zhveshur ku qëndrojnë grabitqarët. Por, këta udhëheqës të paaftë paskan qenë shumë të aftë për diçka tjetër- për manipulime..

Manipulimi i parë ishte emri. Me këtë lehtë u manipuluan masat, dhe me sukses u maskua kriminaliteti. Në grep u kap edhe bashkësia ndërkombëtare e cila edhepse sheh se si shkelet demokracia, megjithatë na shikon nëpër gishta, duke menduar se para së gjithash është me rëndësi të zgjidhet emri. Na inkurajonin rrejshëm se i paskemi dinamizuar reformat, se kemi bërë progres të mirë, se lëvizim në drejtimin e duhur, edhepse edhe nga Hëna po shihet se në shtet instalohet diktaturë e rrezikshme. Pas Marrëveshjes së përkohshme më 1995, emri më nuk ishte pengesë për integrimin euroatlantik të shtetit. Bile, problemi i emrit ishte në rrugë që të shuhet, por Gruevski e ndezi përsëri me zjarr antik që të qeverisë pa asfarë rezultate.

Manipulimi i dytë ishte projekti Shkupi 2014 Njerëzit duheshte të ngjiten në qiell që të mos e shohin atë që ndodh në tokë dhe nëntokë. Ky projekt ka për qëllim që të krijojë ndjenjë virtuale për fuqi dhe madhësi. U harxhuan plot 500 milionë euro, para të cilat mundeshin shumë më dobishëm ta ndihmojnë ekonominë. Ekonomistët thuan se me këto para do të hapeshin më së paku 30.000 vende të drejtpërdrejta pune, dhe po aq vende indirekte. Për vetëm 100 milionë euro u ndërtua poliklinika bashkëkohore në rajon me pajisje komplete dhe kuadro të trajnuara për të gjitha sëmundjet, që shtetit do ti mundësonte kursim të madh financiar për mjekimet jashte vendit, dhe që është edhe më e rendësishme- do të shpëtoheshin shumë jetë.

Manipulimi i tretë është përforcimi i tensioneve ndëretnike në shtet.  Me këtë u defokusua  vëmendja e opinionit nga problemet reale që ti jepet përparësi një problemit tjetër që vlerësohet si kolektivisht ekzistencial. Në këtë ambient, strukturat kriminale qeverisëse lehtë sigurojnë mbështetje për qeverisje. Incidentet e përditshme ndëretnike janë fryt dhe ushqim i politikës së tillë.

Manipulimi i katërt është lustrimi i cili u shndërrua në instrument për betejë kundër jobashkëmendimtarëve politikë. Kur Luciferi e ka parë si lustron pushteti, është ofruar edhe ai vetë të ndihmojë. Lustrojnë fuqi të errëta që vetë janë me vite të dritës larg dritës. Udhëheqësit tanë nuk mund të kuptojnë se është më mirë të durosh se të bësh padrejtësi. Nuk janë të vetëdijshëm se sa shtenjtë kushton folja e të padrejtës dhe heshtja e së drejtës. Regjimi krijoi ndasi të thella të brendshme, duke e shkatërruar pa skrupull  racionalen te njerëzit, kombet, kulturat. Duke gjurmuar në histori, na dëmtuan të ardhmen. Dështimi për shak të mjerimit dhe joperspektivës së përgjithshme rritet në mënyrë rapide. Në planin politik- satanizime, stërkëmbëza, insinuata, montime, gjueti shtrigash. Të gjithë duhet të jenë fajtorë, që pushteti të jetë i pafajshëm. Tash bie kambana- ora është dymbëdhjetë e pesë. Momenti i fundit për ne dhe për pushtetin. Derisa mendonim se është herët për të folur, u bë tepër vonë për heshtje. Historia është përplot me udhëheqës që kanë pasur kapacitet të vogël, zemër të vogël, dhe ambicie të mëdha. Ndërsa kjo është përzierje vdekjeprurëse për fatin e miliona njerëzve. dallimi ndërmjet të lartësuarës dhe tragjikes është vetëm një qime e hollë.

 

Nga maqedonishtja – Armend Nuhiu

 

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të kolumnave. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit.

bilali@inbox7.mk